Alarm në brigjet e Meksikës/ Tërmeti 7.3 ballë shkakton frikë për cunam

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.3 ballë ka goditur brigjet e Meksikës, duke shkaktuar alarm te banorët dhe autoritetet për shkak të rrezikut të mundshëm nga valët e cunamit.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ka deklaruar se deri tani nuk janë raportuar viktima apo dëme materiale në zonat e prekura, ndërsa ekipet e emergjencës kanë nisur inspektimet për të vlerësuar gjendjen e ndërtesave dhe infrastrukturës.
“Autoritetet në të tre nivelet e qeverisjes po kryejnë inspektime në territor për të vlerësuar ndikimet e mundshme strukturore dhe për të koordinuar masat parandaluese”, shkroi Sheinbaum.
Tërmeti goditi zonën bregdetare të shtetit Chiapas, pranë kufirit me Guatemalën, duke shkaktuar masa paraprake për sigurinë e qytetarëve.
Marina e Meksikës u ka bërë thirrje banorëve të shmangin afrimin pranë plazheve për gjashtë orët në vijim, për shkak të mundësisë së krijimit të valëve të cunamit në Oqeanin Paqësor.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe pritet të publikojnë të dhëna të reja në varësi të zhvillimeve. Deri tani, raportet zyrtare flasin për një situatë nën kontroll pa pasoja të rënda.


