"Prokurorë dhe gjyqtarë janë në protestë" - Kuçana: 3 mld euro nga Buxheti pastrohen te kompanitë e narkotrafikantëve

Për “Ora News” në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, Antare e Këshillit Kombëtar PD, Ilirjana Kucana, ka nxjerrë në dritë pretendime mjaft të rënda në lidhje me protestat qytetare dhe menaxhimin e financave të shtetit.

Gjatë bisedës me gazetaren, përfaqësuesja e Partisë Demokratike theksoi se lëvizja masive po udhëhiqet suksesshëm nga të rinjtë, por ajo që ka tërhequr vëmendjen është pjesëmarrja e fshehtë e personave brenda vetë sistemit shtetëror. 

Në mënyrë të papritur, u deklarua se në shesh nuk po protestojnë vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe prokurorë dhe gjyqtarë që aktualisht janë në detyrë dhe jo të shkarkuar nga Vetingu. Sipas pretendimit të ngritur, këtyre figurave të drejtësisë u janë bashkuar edhe familjarë të administratës publike, të policisë dhe të gardës, të cilët kanë dalë kundër qeverisë pavarësisht faktit se mbahen nga pagat e shtetit.

Akuza më alarmante e ngritur gjatë këtij transmetimi lidhet me një skandal të dyshuar për pastrim parash. U raportua se buxheti i shtetit ka pësuar një rritje nga 5 miliardë në 8 miliardë euro, ku 3 miliardë euro dyshohet se pastrohen çdo vit dhe transferohen direkt në llogaritë e narkotrafikantëve dhe kriminelëve nga vetë buxheti i shtetit.

Ky denoncim publik u shoqërua me një sfidë të hapur për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe për agjencitë ndërkombëtare, për të cilat u tha se e zotërojnë tashmë këtë informacion tepër sensitiv.

E pyetur për koret dhe parullat e protestuesve që kanë kërkuar burgosjen jo vetëm të Kryeministrit, por edhe të liderit të opozitës Sali Berisha, zyrtarja i minimizoi këto thirrje.

U theksua se deputetët dhe anëtarët e lartë të partisë janë të pranishëm në shesh çdo ditë në rolin e qytetarëve dhe nuk janë përballur me asnjë refuzim, duke nënvizuar në fund se i vetmi fokus që vërtet ka rëndësi është largimi i qeverisë aktuale.

"Unë si politikane e cila do të dua një të mirë për shqiptarët dhe për ata të cilët besojnë dhe do të duhet të na besojnë në të ardhmen. Patjetër mendoj që është protesta më e bukur. Është protestë e jashtëzakonshme. Rinia, ajo çfarë më bën përshtypje është rinia në atë shesh.

Dhe në momentin që rinia merr frenat, në momentin që rinia merr drejtimin, në momentin që rinia e cila ka energjinë është aty për të larguar të keqen më të madhe që i ka ndodhur Shqipërisë ndonjëherë, patjetër që është e jashtëzakonshme dhe unë kam qenë dhe do jem çdo ditë sapo të mbarojmë nga këtu, atje do jem.

Kam qenë në protestë si njeri që kam mbështetur gjithmonë protestat. Si dikush i cili ka studentët e vet në shesh edhe është krejt e natyrshme që nga dita e parë kur studentët e mi më thanë:

"Zysha, do takohemi edhe do dalim në protestë", patjetër që si pedagogia e protestave studentore, si njeriu i kauzave rinore studentore, si ajo që kam mbështetur gjithmonë rininë dhe kam qenë gjithmonë në krye të betejave për rininë, patjetër që jam aty e do të jem gjithmonë dhe besoj se është një nga protestat më të bukura.

Unë e kam përjetuar edhe protestën e 2018-ës, patjetër ka qenë e jashtëzakonshme protesta studentore, por sot është një protestë tjetër. Është një protestë në disa dimensione, është një protestë ku shikon edhe atë biznesmenin. Më lejoni t'ju them, kam takuar prokurorë dhe gjyqtarë në atë protestë.

E imagjinoni dot se çfarë do të thotë sot për Edi Ramën kur njerëzit e sistemit të drejtësisë që ai mendon se i kishte të zgjedhurit e tij, sot janë mërzitur dhe janë në shesh".

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET