Meloni bën thirrje për një Europë më të fortë në NATO: Ka ardhur koha të marrim më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe sigurinë tonë

Meloni bën thirrje për një Europë më të fortë

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje që vendet europiane të marrin një rol më aktiv në mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit, duke forcuar njëkohësisht pozicionin e Europës brenda NATO-s.

Pas samitit të vendeve të E5 në Berlin, Meloni tha se Europa duhet të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe të jetë më e përgatitur për sfidat e reja që po shfaqen në arenën ndërkombëtare.

Sipas saj, siguria nuk lidhet vetëm me aspektin ushtarak, por edhe me mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë energjetike, mbrojtjen nga sulmet kibernetike, menaxhimin e emergjencave dhe kontrollin e kufijve.

Ajo vlerësoi se situata globale po ndryshon me ritme të shpejta dhe se vendet europiane duhet të rrisin bashkëpunimin dhe kapacitetet e tyre për t’u përballur me këto zhvillime. Në të njëjtën kohë, Meloni kërkoi më shumë investime në industrinë europiane të mbrojtjes dhe mbështetje për inovacionin.

Gjatë takimit në Berlin u diskutua edhe lufta në Ukrainë. Meloni përsëriti mbështetjen për Kievin, duke vlerësuar se një paqe e drejtë dhe afatgjatë nuk mund të arrihet pa garanci të forta sigurie për Ukrainën.

Sa i përket situatës në Lindjen e Mesme, ajo e konsideroi pozitiv memorandum-in e mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por kujtoi se rajoni mbetet i ndjeshëm dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. Në këtë kuadër, ajo përmendi rëndësinë e sigurisë së rrugëve detare dhe lirisë së lundrimit, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit.

Në samitin e Berlinit morën pjesë liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë, ndërsa takimi u zhvillua pak javë para samitit të ardhshëm të NATO-s.

EMISIONET