MZHR mban takim koordinues për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës për Zhvillim Rajonal Juglindje

Sot më 24 qershor 2026, Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) mbajti takim koordinues lidhur me procesin e themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Juglindje.
Takimi u kryesua nga Zëvendësministri i Parë në detyrë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal z. Ali Dula,i cili njëherit e udhëheqë procesin e themelimit dhe kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve ndërinstitucionale për avancimin e procesit të themelimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Juglindje.
Në takim morën pjesë, Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Arton Konushevci, Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, Nënkryetari i Komunës së Shtimes, z. Adnan Ademi, përfaqësues të Komunës së Shtërpcës, znj. Arta Ahmeti Xhylani, zëvendësuese e U.D. Sekretares së Përgjithshme të MZHR-së, Drejtori i AZHR Lindje, z. Agim Zeka, Drejtoresha e AZHR Qendër, znj. Mimoza Tafarshiku, drejtorë të drejtorive komunale, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Gjatë takimit, znj. Kreshnike Arifi, u.d. Drejtoreshë e DPKZHR-së, prezantoi procesin e themelimit të Qendrave për Zhvillim Rajonal, duke paraqitur kornizën institucionale, objektivat dhe rolin e tyre në promovimin e zhvillimit të balancuar rajonal. Ndërkaq, znj. Shyhrete Kastrati, Drejtoreshë e DPAR-së, prezantoi aktivitetet dhe hapat e nevojshëm për zbatimin e Udhëzuesit për Identifikimin e Zonave për Investime Strategjike dhe Studimin e Fizibilitetit për Zhvillim Socio-Ekonomik Rajonal, me fokus në identifikimin e potencialeve zhvillimore dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e investimeve.
Në kuadër të takimit u diskutuan hapat e mëtejmë për funksionalizimin e Qendrës për Zhvillim Rajonal Juglindje, si dhe rëndësia e saj në koordinimin e prioriteteve zhvillimore, hartimin e planeve operative rajonale, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe mobilizimin e fondeve dhe investimeve për rajonin.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkomunal në funksion të themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Juglindje, duke e vlerësuar këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të zhvillimit rajonal të balancuar dhe të qëndrueshëm.
