La Spezia – një urë mes paqes dhe mbrojtjes, mes ekonomisë dhe kujtesës

Udhëtimi drejt qytetit italian La Spezia nis teksa lajme aspak të qeta mbërrijnë nga bota.
Bombardierët amerikanë janë në pozicionim drejt Iranit e dhjetra civilë italianë janë në pritje të një transporti nga Tel Avivi e Jeruzalemi.
La Spezia nuk është thjesht një qytet i veriperëndëdimit italian, por një portë hyrëse e Port mesdhetare strategjik në ekonominë e gjeopolitikën europiane.
Në një kohë tensionesh ndërkombëtare dhe rritjeje të kërcënimeve në Mesdhe, porti i La Spezia-s përbën një bastion strategjik për NATO-n.
Që prej shekulli XIX, La Spezia është një qendër e fuqishme për ndërtimin e anijeve dhe industrinë detare, ku është pozicionuar dhe baza NATO për studime kërkimore detare.
Deti Ligurian nga njëra anë e kodrat e larta në anën tjetër të rrugës, janë të parët që të urojnë mirëseardhjen në këtë qytet ku anijet e mëdha, kontejnerat e lartësia e vincave të portit janë korniza e horizontit të tij.
"Ndryshimi i madh për qytetin ndodh më 1861, thotë Pierluigi Perachini, Kryetari i Bashkisë në mandatin e tij të dytë e që e takojmë në një "La Spezia by night" me rrugët e mbushura me turistë e banorë që kalojnë këtë mbrëmje qershori në freskinë e puhisë së detit e aromës së peshkut të sapo gatuar:"
"Një nga ligjet e para të Mbretërisë Italiane ishte të ndërtonte në La Spezia arsenalin ushtarak të saj e në rreth 30-40 vite qyteti mbipopllohet e nga 7 mijë banorë shkon më gati 100 mijë. Nga e gjithë bota vijnë e vizitojnë La Spezia e cila bëhet dhe poli i inovacionit e shpikjeve të rëndësishme sic ndodhi me realizimin e dhomës hipebarike, me skafandrën e zhytjes së palombarit. Më 1897 Guglielmo Marconi kryen në këtë qytet testimet e para të komunikimit det- mal e det-det pa fill."
Në kontekstin aktual të krizave që po përshkojnë Mesdheun dhe Lindjen e Mesme – që nga tensionet në Ngushticën e Hormuzit e deri te pasojat e luftës në Gaza dhe rritja e aktivitetit të Rusisë në Mesdhe – La Spezia e Porti i saj straegjik ka marrë një vëmendje të re. Ky qytet kaq i paqtë mes kodrave e detit ligure është jo vetëm një qendër ekonomike por dhe një pikë vrojtimi dhe përgjigjeje strategjike për Italinë dhe aleatët e saj. La Spezia shërben si bazë për dislokimin e një pjese të flotës në zonat e rrezikuara, e cila ka një prani të fortë në qytet, duke e bërë atë një nga shtyllat mbrojtëse të Italisë në kohë paqeje dhe në kohë tensioni ndërkombëtar.
Arsenali Ushtarak Detar i La Spezia
Arsenali i La Spezia i ngritur më 1869, është zemra ekonomike e qytetit – një kompleks i specializuar për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e anijeve luftarake italiane.
Porti i La Spezia-s është një nga më të fuqishmit e inxhinierisë detare italiane, baza kryesore e Marinës Ushtarake në Detin Ligurian dhe ndër më të mëdhenjtë në të gjithë Mesdheun.
Këtu janë projektuar, ndërtuar dhe mirëmbajtur: Anije luftarake moderne, nëndetëse, fregata të klasit Fremm, njësi amfibe dhe ndihmëse,
Përvec ndërtimit të anijeve, nëndetëseve, arsenali ka edhe laboratorë kërkimorë, sisteme për testim armësh detare, dhe reparte për riparime të shpejta detare gjatë krizave apo misioneve ndërkombëtare.
Pozicioni i La Spezia-s në bregun veriperëndimor të Italisë, përballë Mesdheut qendror, e bën një pikë strategjike kyçe – si në aspektin ekonomik, ashtu edhe ushtarak.
Qyteti ndodhet në një distancë të shkurtër detare nga Franca dhe Afrika e Veriut, ndërsa është i lidhur me rrjetet hekurudhore dhe autostradale që cojnë drejt zemrës së Europës.
La Spezia është një nga portet më të rëndësishme të Italisë, jo vetëm për rëndësinë ushtarake por dhe për atë tregtare. I vendosur në një nga gjiret më të mbrojtur natyralisht në Mesdhe, porti i La Spezia-s është një nyje jetike për lëvizjen e mallrave ku kalojnë mijëra tonë ngarkesë çdo vit.
Ky kombinim i industrisë civile dhe asaj ushtarake i jep La Spezia-s një rëndësi të dyfishtë, duke e vendosur në qendër të sfidave të sigurisë globale dhe ekonomike.
“Porti tregtar i La Spezia është porti i dytë tregtar në Itali, pas Portit të Genovas, ku qarkullojnë cdo vit 1 milionë e gjysëm kontejnera, thotë kryetari i Bashkisë, e shton se qyteti ka dhe dy Porte turistike ku mbërrijnë anijet e kompanive më të rëndësishme Costa Crociere”.
La Spezia është qyteti i parë në Itali për ekonominë detare në nivel kombëtar.
Muzeu-Bunker i La Spezia – Kujtesa e Luftës nën tokë
Nuk është e lehtë ta gjesh, dhe akoma më pak të besosh se pas një dere metalike, mes një prej rrugëve më të frekuentuar për shopping fshihet një pjesë e errët, por thellësisht domethënëse e historisë së La Spezia-s.
Muzeu-Bunker i njohur si “Bunker di Piazza d’Armi”, është një strukturë nëntokësore që dikur shërbente si strehim antiajror gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërtuar nga ushtria italiane, dhe më pas e përdorur edhe nga forcat gjermane gjatë okupimit, ky bunker është sot një hapësirë muzeale dhe memoriale, ku qyteti kujton tmerret dhe rezistencën e kohës së luftës.
Nën tokë, aty ku frika rijetohet
Hyrja në muze është si depërtimi në një faqe të zymtë të historisë: korridore të gjata, dritë e pakët, aroma e lagështisë dhe zërat e regjistruar që përshkruajnë natën kur bombat filluan të bien mbi qytet.
La Spezia, për shkak të Arsenalit të saj, ishte një objektiv i rëndësishëm për aleatët. Qindra sulme ajrore goditën qytetin midis viteve 1943–1945, dhe mijëra qytetarë u fshehën në këto bunkere për të mbijetuar. 18 prill 1943 qe një natë tmerri për banorët e qytetit. Një instalacion artistik me drita, audio e projektime murale të bën të jetosh atë cfarë ka ndodhur.
Muret janë ende të shënuara nga koha e përqark tyre ekspozohen objekte të kohës: kuti ushqimore, radio, lodra fëmijësh – dëshmi të një jete që u transferua përkohësisht nën tokë.
Kjo hapësirë nuk është thjesht një ekspozitë. Është një thirrje për kujtesë kolektive, për të kuptuar se çfarë ndodh kur lufta bëhet realitet i përditshëm.
Historia si paralajmërim
Në një kohë ku tensionet në botë rriten dhe kujtesa e Luftës së Dytë Botërore zbehet në përditshmërinë digjitale, Muzeu-Bunker i La Spezia-s është një reflektim i qartë: paqja është vlerë, jo dhuratë.
Ndërsa porti i qytetit ndërton anije moderne dhe teknologjia mbrojtëse përparon, këto tunele të vjetra të kujtojnë se çdo strukturë e sotme ekziston falë atyre që mbijetuan dje.
Në një qytet ku teknologjia moderne bashkohet me historinë, Muzeu-Bunker shërben si një paralajmërim i fortë për brezat e rinj: paqja dhe siguria janë vlera që duhet mbrojtur me cdo kusht.
Ndërsa La Spezia shërben sot si një pikë referimi për logjistikën dhe mbrojtjen e Mesdheut, kujtesa nëntokësore i jep thellësi dhe kuptim çdo arritjeje teknologjike apo ushtarake.
La Spezia është një qytet që flet dy gjuhë: atë të anijeve, nëndetësve e flotës ushtarale dhe kontejnerëve që përshkojnë portin çdo ditë, dhe gjuha e heshtur, e reflektuar në strehime nënajorore, dëshmi e historisë së dhimbshme të luftës.
Kjo dualitet është ajo që e bën La Spezia-n të vecantë – një urë midis së kaluarës dhe së ardhmes, mes paqes dhe mbrojtjes, mes ekonomisë dhe kujtesës.
Muzeu Amedeo Lia – “Louvri i Ligurisë”
Në peizazhin e pasur kulturor të Ligurisë, një rajon i njohur më shumë për bregdetin e tij të mrekullueshëm, Cinque Terre-n dhe portet tregtare, pak kush pret të gjejë një nga koleksionet më të rafinuara të artit italian në një qytet që historikisht ka qenë sinonim me industrinë detare.
Por është pikërisht në këtë qytet bregdetar, ku Muzeu Amedeo Lia ruan një pasuri artistike që banorët, studiues dhe vizitorë të apasionuar tashmë e quajnë “Louvri i Ligurisë.”
Një galeri intime, me vlera të mëdha
Në vend të galerive gjigante me mijëra metra katrorë, Muzeu Amedeo Lia ofron një përvojë intesive dhe intime me më shumë se 1000 vepra të përzgjedhura që variojnë nga mesjeta te rilindja, baroku dhe koha moderne – përfshirë piktura, skulptura, miniatura, armë dhe objekte liturgjike.
Ky është një Louvër i vogël në përmasë, por i pasur në përmbajtje, ku cilësia, autenticiteti dhe rrëfimi historik përbëjnë një mozaik unik që nuk gjendet askund tjetër në Liguri.
Amerigo Vespucci – Fryma e detit që jeton mes nesh
Në portin e La Spezia-s, atje ku deti përplaset qetësisht mbi molet ushtarake e portt turistike e tregtare, dhe puhia e verës mbart zërat e pushuesve, gjendet një siluetë që s’e ngatërron dot me asnjë tjetër.
Është Amerigo Vespucci, një anije që nuk lundron vetëm mbi valë, por edhe në kujtesë, në histori dhe në zemrat e atyre që e kanë parë të kalojë, me velat e saj të bardha si fletët e një libri të hapur.
E quajnë “anija më e bukur në botë”, jo pa arsye. Shkëlqimi i saj nuk vjen vetëm nga përmasat apo eleganca e linjave klasike, por nga fryma që ajo mban brenda saj — një frymë disipline, krenarie dhe trashëgimie. E ndërtuar në vitin 1931, ajo nuk është thjesht një varkë me vela, por një shkollë lundruese e shpirtit italian, ku breza të tërë kadetësh mësojnë jo vetëm artin e navigimit, por edhe përulësinë para detit dhe lavdinë e atdheut.
La Spezia nuk është thjesht porti ku ajo ankoron. Është shtëpia e saj, vendi ku ripërtërihet, ku merr frymë, ku përgatitet për çdo mision që e pret nëpër botë. Aty, në dritën e mëngjesit, ajo qëndron krenare mbi ujë si një monument i gjallë, me trupin e saj prej çeliku të zbukuruar me ngjyra që rrëfejnë historinë dhe elegancën. Kulla e saj ngrihet si flamur mbi kohëra, një kujtesë e përjetshme që Italia, përtej tokës, ka një shpirti që jeton në det.
Në cdo mision ndërkombëtar, “Amerigo Vespuci” përcjell simbolin e Italisë klasike dhe moderne, të artit dhe forcës, të trashëgimisë dhe së ardhmes. Nën velat e saj valëvitet jo vetëm era e detit, por edhe flamuri i një kombi që me ekspoluruesin Amerigo Vespuci zbuloi botën e re e i dha emrin e tij kontinenteve.
La Spezia by night ka nis të shuajë dritat e ndërtesave e deti përballë ndricon flamurin trengjyrësh italian- bardhë, jeshil dhe e kuqe mbi velat e Vespucit e dhjetra dritave të anijeve të mëdha e jahteve që lundrojnë pranë porteve.
