Kryeministri polak: Do të ishte mirë të dihej kush e ka shkruar planin për paqen në Ukrainë

Kryeministri polak: Do të ishte mirë të dihej kush e ka shkruar

Raporte të ndryshme kanë nxjerrë në pah pasiguri mbi autorësinë e planit 28-pikësh për përfundimin e luftës në Ukrainë, që konsiderohet gjerësisht si favorizues për Rusinë, pasi mbështet disa nga kërkesat kryesore të Moskës.

Një grup senatorësh amerikanë tha se Marco Rubio u kishte thënë se plani nuk është një propozim zyrtar i SHBA-ve dhe nuk pasqyron qëndrimin e Uashingtonit, pretendime këto që janë kundërshtuar fuqishëm nga Departamenti i Shtetit. Senatorët thanë se sekretari i shtetit e kishte përshkruar planin si një dokument të Rusisë, që SHBA-ve u ishte kërkuar t’ua dorëzonin Ukrainës për shqyrtim dhe përgjigje.

“Sekretari Rubio na telefonoi pasdite. Ai e bëri të qartë se ne jemi thjesht marrës të një propozimi që iu dorëzua një prej përfaqësuesve tanë. Nuk është rekomandimi ynë, nuk është plani ynë i paqes. Është një propozim që kemi marrë”, tha senator republikan Mike Rounds, anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit.

Pas këtyre deklaratave, Rubio u përgjigj duke thënë: “Propozimi i paqes është autorësia e SHBA-ve. Ai ofrohet si një kuadër i fortë për negociatat në vazhdim. Bazohet në inpute nga pala ruse, por gjithashtu në inpute të mëparshme dhe të vazhdueshme nga Ukraina”.

Kryeministri polak Donald Tusk, një nga aleatët më të fortë të Ukrainës, shtoi mëngjesin e sotëm se “do të ishte mirë të dihej saktësisht kush është autori i planit dhe ku është krijuar” para se të nisë diskutimi mbi përmbajtjen e tij.

EMISIONET