Kolonët izraelitë i vënë flak*n xhamisë dhe banesave në Bregun Perëndimor, rriten tensionet

Kolonët izraelitë kanë sulmuar gjatë natës fshatin Al-Tuwani në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku i kanë vënë zjarrin një xhamie, dy banesave dhe një objekti për përpunimin e bulmetit, duke rritur më tej tensionet në zonë.
Gjatë sulmit, xhamia Al-Taqwa u përfshi nga flakët, ndërsa në muret e saj u shkruan grafite në hebraisht. Banorët ndërhynë me shpejtësi dhe arritën të shuanin zjarrin përpara se ai të përhapej dhe të shkaktonte dëme edhe më të mëdha.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ngjarja vjen në një periudhë kur sulmet e kolonëve ndaj komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor janë shtuar ndjeshëm, duke u bërë gjithnjë e më të shpeshta që nga nisja e luftës në Gaza.
Policia izraelite tha se vendosi forca në fshat pasi mori raportime për dhunë, duke shtuar se kishte nisur një hetim mbi rrethanat e incidentit. Sipas z. Rabi, personel nga ushtria, policia dhe zjarrfikësit izraelitë mbërritën në vendngjarje rreth gjysmë ore pas sulmit.
“Sulmi i kolonëve ndodhi përpara ushtrisë izraelite”, tha aktivisti palestinez Osama Mahamra, duke vënë në dukje se një post vëzhgimi i ushtrisë izraelite ndodhej në një distancë të shkurtër nga xhamia që u dogj.
Ministria Palestineze e Çështjeve Fetare e quajti atë një akt normal terrorist dhe akuzoi qeverinë ekstremiste pushtuese të Izraelit për inkurajimin e dhunës së kolonëve me qëllim zhvendosjen e palestinezëve.
Në një raport të kohëve të fundit, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se dhuna e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar kishte arritur një nivel të paparë, me një mesatare prej gjashtë sulmesh në ditë, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.
Jashtë Jerusalemit Lindor, rreth tre milionë palestinezë jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar së bashku me më shumë se 500,000 izraelitë që banojnë në vendbanime të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar

