"Më ndihmoni, mjaft!"/ 43-vjeçari maroken ndërron jetë gjatë arrestimit, prokuroria nis hetimet ndaj policëve italianë (VIDEO)

"Më ndihmoni, mjaft!"/ 43-vjeçari maroken ndërron

Një vdekje gjatë një operacioni arrestimi ka shkaktuar reagime në Bolonjë të Italisë, pasi pamjet e shpërndara nga një dëshmitar tregojnë momentet e fundit të jetës së një 43-vjeçari gjatë ndërhyrjes së policisë.

Ngjarja ndodhi të dielën, më 19 korrik, ku viktima Abderrahim Fakir, me origjinë nga Maroku, u gjet pa shenja jete pas ndërhyrjes së efektivëve në një zonë të Bolonjës.

Në videon e publikuar shihet 43-vjeçari i shtrirë me fytyrë përtokë, ndërsa dy efektivë policie përpiqen ta mbajnë nën kontroll dhe t’i vendosin prangat. Në pamje shfaqet edhe një person tjetër që mban këmbët e tij.

Gjatë ndërhyrjes, Fakir dëgjohet duke kërkuar ndihmë dhe duke thënë: “Më ndihmoni, mjaft!”. Pak më pas ai nuk reagon më, ndërsa policia vijon procedurën e prangosjes.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por dëshmitarë pretendojnë se ndërhyrja mjekësore nuk nisi menjëherë. Sipas raportimeve fillestare, 43-vjeçari ka humbur jetën nga një atak kardiak, ndërsa po hetohen edhe pretendimet se mund të jetë mbytur gjatë ndërhyrjes.

Fakir jetonte prej vitesh në Itali, kishte leje qëndrimi dhe drejtonte një biznes në zonë. Sipas mediave italiane, policia ishte thirrur pas njoftimeve të banorëve për sjellje të pakontrollueshme të tij.

Gjatë përpjekjes për ta neutralizuar, ndaj tij raportohet se është përdorur edhe sprej me piper.

Pas ngjarjes, në zonë u zhvilluan protesta kundër dhunës policore. Familjarët e viktimës kërkuan zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.

Policia e Bolonjës ka vënë në dispozicion të prokurorisë pamjet nga kamerat trupore të efektivëve. Hetimi po drejtohet nga prokurori Domenico Ambrosino, ndërsa Autoriteti Shëndetësor Lokal ka nisur një verifikim të brendshëm për rrethanat e vdekjes.

EMISIONET