Kinë, 900 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19, shtohet rreziku për Vitin e Ri Hënor

Një studim i Universitetit të Pekinit thotë se 64% e popullsisë është infektuar me virusin. Spitalet janë të mbushura me pacientë me Covid dhe përhapja pritet të rritet me Vitin e Ri Hënor.
Konkretisht rreth 900 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19, sipas një studimi të Universitetit të Pekinit. Më e goditura është provinca Gansu, ku 91% e njerëzve janë të infektuar, e ndjekur nga Yunnan (84%) dhe Qinghai (80%).
Situata mund të përkeqësohet pasi qindra milionë kinezë janë vendosur të udhëtojnë në vendlindjet e tyre, shumë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, përpara Vitit të Ri Hënor më 23 janar.
Kulmi i pandemisë do të zgjasë dy deri në tre muaj sipas ish-kreut të Qendrës Kineze për Kontrollin e Sëmundjeve, Zeng Guang.
Nëse Pekini ka ndalur së ofruari statistika ditore për infeksionet që nga braktisja e politikës së tij zero-Covid, spitalet në qytetet e mëdha, ku objektet shëndetësore janë më të mira dhe më lehtësisht të aksesueshme, janë të mbushura me njerëz që kanë marrë virusin.
Provinca qendrore kineze e Henan është e vetmja që ka dhënë të dhëna të detajuara për shkallët e infeksionit: në fillim të këtij muaji një zyrtar shëndetësor tha se pothuajse 90% e popullsisë kishte pasur Covid, me norma të ngjashme të vërejtura në zonat urbane dhe rurale. Sidoqoftë, zyrtarët qeveritarë thonë se shumë provinca dhe qytete kanë kaluar kulmin e infeksioneve.
Ndërkohë, festat e Vitit të Ri Hënor të Kinës, të cilat zyrtarisht nisin më 21 janar, përfshijnë migrimin më të madh vjetor të njerëzve në botë.
Rreth dy miliardë njerëz pritet të dalin në rrugë pasi Pekini braktis politikat e tij zero-Covid ndërsa rihap kufijtë e tij. Shifrat zyrtare tregojnë pesë vdekje në ditë ose edhe më pak në muajin e kaluar.
Por këto shifra nuk janë në përputhje me radhët e gjata që shihen në shtëpitë e funeralit dhe raportet e viktimave në mediat sociale.

