Irani izolon rezervat e uraniumit të pasuruar, tunelet shemben dhe minohen hyrjet për të penguar qasjen

Irani izolon rezervat e uraniumit të pasuruar, tunelet shemben dhe minohen

Irani ka shtuar masat për të mbrojtur rezervat e uraniumit të pasuruar, të cilat konsiderohen një nga asetet më të rëndësishme të programit të tij bërthamor.

Sipas burimeve të inteligjencës amerikane, disa tunele ku dyshohet se ruhen këto materiale janë shembur qëllimisht, ndërsa në hyrjet e tyre janë vendosur mina.

Këto masa e bëjnë shumë të vështirë hyrjen dhe kontrollin e zonave ku ndodhet uraniumi.

Burimet amerikane vlerësojnë se rreth gjysmë ton uranium i pasuruar mund të jetë i izoluar në këto komplekse.

Situata pritet të vështirësojë çdo përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të marrë nën kontroll ose për të verifikuar materialin bërthamor.

Sipas CNN, zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Një nga çështjet kryesore mbetet e ardhmja e rezervave të uraniumit dhe mundësia e dorëzimit të tyre për shkatërrim në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme.

Një pjesë e materialit bërthamor besohet se ndodhet në komplekse të dëmtuara në Isfahan, ndërsa pjesa tjetër në lokacione të tjera të konsideruara të sigurta.

Ekspertët vlerësojnë se edhe autoritetet iraniane mund ta kenë të vështirë të arrijnë te këto rezerva pa pajisje të specializuara dhe operacione çminimi.

Ndërkohë, kushtet e një marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit mbeten ende të paqarta. Ekspertët paralajmërojnë se masat e marra mund ta bëjnë më të vështirë gjurmimin dhe verifikimin e një pjese të materialit bërthamor.

EMISIONET