Irani i përgjigjet Macronit: Çminimi i Ngushticës së Hormuzit do të kryhet vetëm nga Teherani

Irani ka kundërshtuar deklaratat e Presidentit francez Emmanuel Macron për çminimin e Ngushticës së Hormuzit, duke bërë të ditur se çdo operacion i tillë do të kryhet vetëm nga autoritetet iraniane. Reagimi vjen pasi Franca dhe Omani njoftuan një bashkëpunim për uljen e tensioneve dhe garantimin e lirisë së lundrimit në këtë korridor detar.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, publikoi një reagim në platformën X, ku tha se çminimi i Ngushticës së Hormuzit është një operacion që do të realizohet ekskluzivisht nga Irani, në përputhje me memorandumin e mirëkuptimit mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Ai shtoi se situata në rajon mbetet e ndjeshme dhe i bëri thirrje Francës të mos ndërmarrë veprime që mund të rrisin tensionet.
Reagimi erdhi pasi Macron njoftoi se Franca dhe Omani do të punojnë së bashku me partnerët e tyre për çminimin e Ngushticës së Hormuzit, me synimin për të garantuar sigurinë e korridoreve detare dhe lirinë e kalimit të anijeve.
Deklarata u bë pas takimit të Macron me Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq, në Pallatin Elysee, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe siguria në rajon.


