IA po ndryshon luftën kibernetike, agjencitë e sigurisë paralajmërojnë rrezik të ri për qeveritë dhe bizneset

IA po ndryshon luftën kibernetike, agjencitë e sigurisë

Pesë nga agjencitë më të rëndësishme të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike në botë kanë paralajmëruar se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po rrit rreziqet për sulme kibernetike më të sofistikuara.

Në një deklaratë të përbashkët nga aleanca “Five Eyes” (SHBA, Britani, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re), thuhet se modelet e reja të IA-së mund të përdoren për të goditur qeveri, institucione dhe biznese, dhe këto aftësi mund të shfaqen brenda pak muajsh.

Sipas tyre, inteligjenca artificiale po ndihmon mbrojtjen kibernetike, por në të njëjtën kohë po e bën më të lehtë edhe krijimin e sulmeve të shpejta dhe më të vështira për t’u zbuluar apo ndalur. Ato paralajmërojnë se zhvillimet në këtë fushë mund të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën si funksionon siguria kibernetike.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se rreziku kibernetik nuk duhet parë vetëm si çështje teknike, por si përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtuesve të institucioneve dhe kompanive.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur disa vende kanë nisur të kufizojnë ose rishikojnë përdorimin e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale, për shkak të shqetësimeve për keqpërdorim të mundshëm në fushën e sigurisë.

Ekspertët thonë se ndërsa këto teknologji po zhvillohen me shpejtësi, po rritet edhe mundësia që grupe të ndryshme të kenë akses në mjete më të fuqishme për sulme kibernetike.

Në të njëjtën kohë, vendet perëndimore po përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes përfitimeve ekonomike që sjell inteligjenca artificiale dhe rreziqeve që ajo mund të krijojë për sigurinë globale.

 

EMISIONET