Hegseth u kërkon vendeve evropiane më shumë vendosmëri ndaj emigracionit

Sekretari amerikan i Shtetit, Pete Hegseth i bëri thirrje vendeve evropiane të marrin masa më të forta kundër emigracionit të paligjshëm, gjatë ceremonive për 82-vjetorin e zbarkimit aleat në Normandi, duke e krahasuar situatën aktuale me një “pushtim” të brigjeve evropiane.
Duke folur në varrezat ushtarake amerikane në Colleville-sur-Mer, sekretari i Mbrojtjes deklaroi se sot “plazhe të ndryshme europiane po sulmohen nga ideologji të rrezikshme”, duke iu referuar mbërritjes së emigrantëve me anije në vende si Spanja, Italia, Greqia dhe Bullgaria.
Hegseth pyeti se kur kryeqytetet europiane do të veprojnë ndaj asaj që ai e quajti “pushtim”, duke përsëritur argumentet e administratës së presidentit Donald Trump se emigracioni masiv përbën kërcënim për qytetërimin evropian.
Ai u kërkoi gjithashtu aleatëve evropianë të shtojnë kontributin e tyre në mbrojtje, duke theksuar se siguria dhe paqja mund të garantohen vetëm përmes forcës ushtarake dhe bashkëpunimit të ngushtë transatlantik.
“Amerika do të udhëheqë, por aleatët tanë duhet të jenë krah për krah me ne kur ka rëndësi”, tha Hegseth, duke nënvizuar se aleancat duhet të bazohen në veprime konkrete dhe sakrifica të përbashkëta, jo vetëm në deklarata politike.
Zbarkimi në Normandi më 6 qershor 1944 ishte operacioni më i madh amfib në histori.
Mbi 132 mijë ushtarë aleatë nga SHBA-ja, Britania, Kanadaja dhe vende të tjera zbarkuan në brigjet franceze, duke i hapur rrugën çlirimit të Evropës Perëndimore nga Gjermania naziste.


