SHBA miraton shitjen prej 1,5 miliardë dollarësh të helikopterëve detarë për Zelandën e Re

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen prej 1,5 miliardë dollarësh të pesë helikopterëve detarë “Seahawk” për Zelandën e Re, e cila është zotuar të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake, ndërsa kërkon të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes, raportoi “Reuters”.
“Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka marrë vendim për të miratuar një shitje të mundshme ushtarake të huaj, të helikopterëve “MH-60R Multi-Mission” dhe pajisjeve të lidhura me to, për qeverinë e Zelandës së Re”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të institucionit.
Nën administratën e presidentit Donald Trump, SHBA-j ka nxitur aleatët në Evropë dhe rajonin Azi-Paqësor të rrisin shpenzimet për mbrojtje.
Zelanda e Re, aleate e ngushtë e Australisë fqinje, po rrit gjithashtu angazhimin e saj ushtarak në Azinë Lindore, në mbështetje të forcave perëndimore, në një kohë kur ndikimi ushtarak i Kinës po zgjerohet me shpejtësi.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Zelandës së Re, për t’u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme, duke rritur sigurinë e infrastrukturës së saj kritike”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shtuar se vendi do ta përdorë këtë kapacitet të shtuar, për të forcuar mbrojtjen e territorit.
Helikopterët “Seahawk”, të prodhuar nga njësia “Sikorsky” e kompanisë “Lockheed Martin”, janë pjesë e një plani të qeverisë së qendrës së djathtë të Zelandës së Re, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me 9 miliardë dollarë NZ (rreth 5 miliardë dollarë amerikanë), gjatë katër viteve dhe për të pothuajse dyfishuar shpenzimet në 2% të PBB-së, brenda tetë viteve.
Wellington ka alokuar muajin e kaluar 1,58 miliardë dollarë NZ (916 milionë dollarë amerikanë), pjesë e një financimi të ri për mbrojtjen, ndërsa po modernizon forcat e armatosura të vendit.
Kryeministri Christopher Luxon deklaroi sot se qeveria mbetet e përkushtuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes pas “30 vitesh investimi të pamjaftueshëm në forcat e armatosura të Zelandës së Re”.
“Jemi zhvendosur nga një mjedis relativisht i qetë në një mjedis shumë më konkurrues në aspektin gjeostrategjik. Është plotësisht e arsyeshme të dyfishojmë shpenzimet për mbrojtje”, tha Luxon në një deklaratë televizive nga shteti australian Queensland, ku po merr pjesë në një takim vjetor dypalësh me kryeministrin australian, Anthony Albanese.


