Bahreini dhe Kuvajti ashpërsojnë akuzat ndaj Iranit pas sulmeve me raketa dhe dronë

Bahreini dhe Kuvajti ashpërsojnë akuzat ndaj Iranit pas sulmeve me

Bahreini dhe Kuvajti kanë shtuar kritikat ndaj Iranit, pasi e akuzuan Republikën Islamike për lëshimin e raketave dhe dronëve drejt territoreve të tyre. Të dy vendet e Gjirit thanë se kanë arritur të interceptojnë disa prej mjeteve ajrore pa pilot.

Ministria e Jashtme e Kuvajtit i cilësoi sulmet iraniane si “të përsëritura dhe të neveritshme”, duke deklaruar se ato nuk mund të justifikohen apo pranohen në asnjë rrethanë. Sipas saj, këto veprime përbëjnë një agresion të hapur që rrezikon jetën e qytetarëve dhe cenon sigurinë e stabilitetin rajonal.

Edhe autoritetet e Bahreinit akuzuan Iranin për vazhdimin e një “kursi sistematik armiqësor”, duke pretenduar se raketat dhe dronët kishin në shënjestër objektiva civile. Ministria e Jashtme e Bahreinit i bëri thirrje Teheranit të ndalojë sulmet dhe të zgjedhë rrugën e paqes, duke i cilësuar veprimet e tij si shkelje flagrante të sovranitetit të Bahreinit dhe Kuvajtit.

Bahreini theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, por paralajmëroi se mbrojtja e sovranitetit, sigurisë dhe qytetarëve të tij është një “vijë e kuqe” për të cilën nuk do të bëjë kompromis.

Forcat e armatosura të Bahreinit njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar tre raketa dhe një numër të pacaktuar dronësh. Ndërkohë, ushtria kuvajtiane raportoi se ka neutralizuar sulme të tjera me raketa dhe dronë, ndërsa trafiku ajror në vend rifilloi pas mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se ka interceptuar gjashtë raketa balistike iraniane të drejtuara ndaj Kuvajtit dhe Bahreinit, ndërsa një raketë e shtatë nuk arriti objektivin.

Garda Revolucionare Iraniane (IRGC) tha se sulmet ndaj bazave amerikane në rajon ishin një kundërpërgjigje ndaj goditjeve të kryera më herët nga Shtetet e Bashkuara.

Që prej nisjes së fushatës ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit në fund të shkurtit, Teherani ka ndërmarrë disa sulme ndaj shteteve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

EMISIONET