FBI MERR NJË PROVË NË DORË! Zbulohet një dorezë gjatë hetimeve për zhdukjen e Nancy Guthrie
FBI ka marrë një mostër ADN-je nga një dorezë e gjetur pranë shtëpisë së Nancy Guthrie, e cila dyshohet se përputhet me atë të një personi të maskuar të filmuar para rrëmbimit. Nëse zbulohet se ka përputhje mes tyre hetuesit mund të identifikojnë një person konkret të lidhur me krimin.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se një dorezë e gjetur pranë shtëpisë së Nancy Guthrie në Arizona mund të çojë në një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për zhdukjen e saj.
Sipas FBI-së, nga doreza është marrë një mostër ADN-je, e cila pritet të krahasohet me databazën kombëtare për të parë nëse ka përputhje me ndonjë profil të njohur.
Doreza e dërguar për analizë dyshohet se i përket njërit prej personave të maskuar, i filmuar nga kamera e derës së shtëpisë, pak para rrëmbimit të dyshuar.
Në video, burri shihet me maskë skijimi, me armë në brez dhe me një çantë shpine të mbushur. Sipas autoriteteve, ai konsiderohet i dyshuari kryesor në këtë rast.
Mostra e ADN-së do të analizohet përmes sistemit kombëtar CODIS proces që zakonisht zgjat rreth 24 orë nga momenti i marrjes së mostrës.
Nëse arrihet një “përputhje” hetuesit mund të identifikojnë një person konkret të lidhur me krimin.
Ndërkohë, gjurmë gjaku të gjetura në verandën e shtëpisë janë konfirmuar përmes analizave se i përkasin Nancy Guthrie.
Ajo përshkruhet nga familjarët si me shëndet të brishtë, me nevojë për medikamente të përditshme dhe me stimulues kardiak.
Që nga zhdukja e saj, janë shfaqur të paktën dy letra që pretendojnë shpërblim të dërguara fillimisht mediave, por nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë mes rrëmbyesve të dyshuar dhe familjes apo autoriteteve.
Në një video-mesazh të fundit në rrjetet sociale, Savannah Guthrie u bëri thirrje atyre që mund ta mbajnë nënën e saj ose që dinë vendndodhjen e saj të bëjnë gjënë e duhur, duke theksuar se familja ende shpreson për një fund pozitiv.
Autoritetet kanë deklaruar se deri tani nuk ka prova që ajo është gjallë, por as prova që ka ndërruar jetë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa kontrollet dhe marrjet në pyetje janë kryer në disa zona pranë banesës së saj, deri më tani pa sukses.


