Ebola alarmon Afrikën Qendrore! Mbi 400 viktima, OBSH teston trajtime eksperimentale kundër virusit

Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po merr përmasa alarmante. Mbi 400 persona kanë humbur jetën, ndërsa rastet e reja po përhapen përtej zonës fillestare të shpërthimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë shëndetësore ndërkombëtare.

Ebola alarmon Afrikën Qendrore! Mbi 400 viktima, OBSH teston trajtime

Bilanci i epidemisë së Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos vijon të rëndohet. Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar mbi 1 mijë e 400 raste dhe 438 viktima, ndërsa virusi po përhapet me shpejtësi në disa provinca të vendit.

Shqetësimi është shtuar pas konfirmimit të një rasti të ri në qytetin e madh të Kisanganit, rreth 600 kilometra larg epiqendrës së shpërthimit. Ekspertët paralajmërojnë se zgjerimi i hartës së infeksionit mund ta bëjë edhe më të vështirë kontrollin e epidemisë.

Përballë situatës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur provat klinike të dy trajtimeve eksperimentale kundër virusit. Shpërthimi aktual është shkaktuar nga varianti Budibugyo i Ebolës, për të cilin nuk ekziston ende një vaksinë apo një trajtim i miratuar.

Autoritetet po përballen edhe me sfida të tjera serioze. Në disa zona, banorët kanë kundërshtuar masat shëndetësore, ndërsa një qendër trajtimi në rajonin Nia Nia u dogj nga protestuesit. Shtatë pacientë të dyshuar u larguan nga izolimi, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme.

Situata është përkeqësuar edhe nga transportimi i fshehtë i trupave të viktimave, një praktikë që sipas ekspertëve përbën një burim të madh infeksioni, pasi Ebola transmetohet lehtësisht gjatë ceremonive mortore.

Ndërkohë, edhe Uganda ka raportuar raste të reja të Ebolës dhe të virusit Marburg, duke shtuar frikën për një krizë më të gjerë shëndetësore në rajon. Presidenti kongolez, Félix Tshisekedi, ka bërë thirrje për ndihmë dhe koordinim ndërkombëtar, duke theksuar se epidemitë nuk njohin kufij.

Ebola po shndërrohet sërish në një kërcënim të madh për Afrikën Qendrore dhe një sfidë serioze për sistemin global të shëndetësisë.

EMISIONET