Demo: Kapitulli 22 përgatit ngritjen e strukturave ligjore për realizimin e projekteve të financuara nga BE

Demo: Kapitulli 22 përgatit ngritjen e strukturave ligjore për

Shqipëria po vijon përgatitjet për hapjen e negociatave për Kapitullin 22 “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, të cilat sipas planit të punës së qeverisë shqiptare pritet të nisin në fillim të vitit 2027.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Çështjet Evropiane, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në cilësinë e negociatorit përgjegjës për këtë kapitull, paraqiti ecurinë e procesit dhe hapat e ndërmarrë për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me këtë fushë.

Demo tha se “kapitulli 22 është pjesë e klasterit 5 dhe ka një rol kyç në përgatitjen e Shqipërisë për menaxhimin e fondeve të kohezionit të Bashkimit Evropian pas anëtarësimit. Këto fonde synojnë reduktimin e pabarazive rajonale, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e kohezionit social ndërmjet rajoneve dhe shteteve anëtare”.

Sipas Demos, ndryshe nga kapitujt e tjerë të përafrimit me BE-në, Kapitulli 22 nuk kërkon transpozimin e një legjislacioni specifik evropian, por ndërtimin e kapaciteteve institucionale, administrative dhe financiare për menaxhimin efektiv të fondeve të BE-së.

Ministri Demo bëri të ditur se për këtë kapitull janë përcaktuar gjashtë piketa kryesore.

“Piketa e parë lidhet me zbatimin e suksesshëm të fondeve të para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht në sektorët që lidhen me politikën e kohezionit. Piketa e dytë kërkon hartimin e një drafti të plotë për Marrëveshjen e Partneritetit, të shoqëruar me një kalendar të qartë për përmbushjen e objektivave”, tha ai.

Një tjetër piketë ka të bëjë me hartimin e një plani gjithëpërfshirës projektesh që do të financohen në kuadër të politikës së kohezionit, ku duhet të identifikohen burimet dhe kapacitetet e nevojshme për zbatimin e tyre.

Po ashtu, Shqipëria duhet të sigurojë bazën ligjore dhe procedurat e konsultimit në përputhje me Kodin Evropian të Sjelljes për Partneritetin, si dhe të ndërtojë një strukturë institucionale të plotë për monitorimin, vlerësimin, komunikimin dhe kontrollin e fondeve të kohezionit.

“Piketa e gjashtë lidhet me menaxhimin financiar, sistemet e kontrollit dhe auditimit, duke garantuar standarde të larta integriteti dhe përdorim të sigurt e efikas të fondeve evropiane”, vijoi Demo.

Demo vuri në dukje se procesi përfshin bashkëpunimin e ngushtë të disa institucioneve, mes tyre ministrinë e Financave, SASPAC, zyrën e kryenegociatorit dhe institucione të tjera përgjegjëse. Ministri Demo bëri të ditur se është ngritur grupi ndërinstitucional i punës dhe është hartuar plani i veprimit për koordinimin e detyrimeve.

Sipas ministrit, aktualisht Bashkimi Evropian po punon për kuadrin e ri financiar 2028-2034, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjet e Shqipërisë për këtë kapitull.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ngriti shqetësimin për fondet e programit IPARD. Ajo deklaroi se Komisioni Evropian ka pezulluar fondet e IPARD II për Shqipërinë si masë mbrojtëse për interesat financiare të Bashkimit Evropian, pas dyshimeve për parregullsi në menaxhimin e tyre.

“Miliona euro nga fondet IPARD nuk shkuan për bujqësinë dhe fermerët, por për biznese të lidhura me kupolën e pushtetit, si oligarkë, trafikantë, kryebashkiakë dhe individë të tjerë të favorizuar. Bashkimi Evropian i ka bërë me dije kryeministrit Edi Rama se Shqipëria nuk do të përfitojë fonde për bujqësinë as gjatë vitit 2026. Bëhet fjalë për 138 milionë euro të parashikuara për periudhën 2017–2021”, tha Vokshi.

EMISIONET