BRATISLAVË/ Rubio vazhdon turneun evropian tek aleatët e ngushtë të Trump

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, po vazhdon turneun e tij evropian me vizita në dy vende të udhëhequra nga bashkëpunëtorë të ngushtë të Donald Trump, së pari në Sllovaki, ku ai mbërriti sot, dhe më pas në Hungari, një ditë pas thirrjes së tij drejtuar evropianëve për të mbrojtur qytetërimin perëndimor.
Në Mynih, në një fjalim të mbajtur para Konferencës së Sigurisë, Rubio u bëri thirrje evropianëve të bashkohen pas vizionit të presidentit amerikan për rendin botëror, ndërsa mbron një rigjallërim të lidhjeve me një Evropë të fortë.
Në Bratislavë, për një vizitë të shkurtër disa orëshe, Rubio ka planifikuar të takohet me kryeministrin Robert Fico, i cili ndan të njëjtën ideologji sovraniste dhe nacionaliste si presidenti i SHBA-së.
Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Florida, Fico thuhet se shprehu shqetësim për gjendjen mendore të presidentit amerikan, sipas ”Politico”, duke cituar diplomatë anonimë evropianë, por Uashingtoni dhe Bratislava e kanë mohuar me forcë këtë.
Pas takimit në Florida, udhëheqësi sllovak deklaroi se ai dhe Donald Trump kishin pasur diskutime “jashtëzakonisht të rëndësishme” mbi energjinë bërthamore.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së do të udhëtojë më pas për në Budapest për takime, të hënën, me autoritetet hungareze, përfshirë kryeministrin Viktor Orban.
Donald Trump nuk e fsheh mbështetjen e tij për udhëheqësin nacionalist hungarez, të cilin e përshkruan si një “njeri të fortë dhe të fuqishëm”, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 12 prill.
Viktor Orban përballet me sfidën e tij më të vështirë që nga rikthimi në pushtet në vitin 2010, ndërsa partia e tij Fidesz është pas partisë opozitare TISZA në sondazhet e pavarura.
Kryeministri hungarez ka njoftuar qëllimin e tij për të udhëtuar në Uashington javën e ardhshme për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së.
Viktor Orban është veçanërisht i afërt me administratën Trump për shkak të politikave të saj antimigratore që nga kriza e refugjatëve sirianë, një dekadë më parë.


