George Clooney merr “Luanin e Artë” në Venecia/ Aktori: Ndoshta do të thotë që jam plakur, por e pranoj me kënaqësi

George Clooney merr “Luanin e Artë” në Venecia/  Aktori: 

Aktori, regjisori dhe producenti amerikan George Clooney do të marrë çmimin prestigjioz “Luani i Artë” për Arritje Jetësore në edicionin e ardhshëm të Venice Film Festival, si vlerësim për kontributin e tij të gjatë dhe ndikimin në botën e kinemasë.

Marrëdhënia e Clooney-t me Festivalin e Venecias nisi në vitin 1998, kur ai u shfaq për herë të parë në këtë event me filmin “Out of Sight”. Që prej asaj kohe, ai është kthyer në një nga figurat më të njohura të industrisë së filmit, duke spikatur jo vetëm para kamerës si aktor, por edhe pas saj si regjisor dhe producent.

Drejtori artistik i festivalit, Alberto Barbera, vlerësoi karrierën shumëdimensionale të Clooney-t, duke e cilësuar atë si një artist me ndikim të madh në zhvillimin e kinemasë moderne.

Vetë aktori e priti me humor lajmin për këtë vlerësim të rëndësishëm.

“Kam përjetuar shumë momente të paharrueshme në Venecia. Ky është festivali im i preferuar dhe marrja e ‘Luanit të Artë’ është një nder i madh. Ndoshta kjo do të thotë edhe se jam plakur, por e pranoj me kënaqësi”, u shpreh Clooney.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të zhvillohet gjatë Festivalit të Filmit në Venecia, i cili këtë vit do të mbahet nga 2 deri më 12 shtator.

Krahas vlerësimit profesional, Clooney ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes edhe për jetën e tij private. Gjatë një eventi gala për 50-vjetorin e The King’s Trust në Royal Albert Hall, ai ndau një histori argëtuese nga ditëlindja e tij e 65-të, ku bashkëshortja e tij Amal Clooney kishte organizuar një surprizë me miq të afërt të çiftit.

Aktori tregoi me humor se miqtë ishin shfaqur të maskuar si kamerierë për ta surprizuar, duke shtuar se në këtë moshë surprizat e tilla mund të jenë “të rrezikshme”. “Mund të përfundosh i shtrirë në tokë”, tha Clooney me shaka, duke shtuar se fatmirësisht ende qëndron në këmbë.

EMISIONET