Alarm i kuq në Spanjë nga vala e të nxehtit/ Temperaturat arrijnë deri në 42°C , tre rajone në rrezik ekstrem

Alarm i kuq në Spanjë nga vala e të nxehtit/ Temperaturat

Agjencia meteorologjike e Spanjës, Aemet, ka shpallur alarm të kuq për valë të jashtëzakonshme të të nxehtit në disa zona të vendit, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 40–42 gradë Celsius.

Alarmi prek pjesë të Katalonjës, Komunitetit Valencian dhe Zaragozës, ku autoritetet paralajmërojnë për rrezik të lartë dhe pasoja potencialisht serioze për shëndetin e qytetarëve, pronën dhe mjedisin.

Sipas parashikimeve meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të vijojë deri të enjten, duke sjellë temperatura ekstreme dhe kushte të vështira për banorët e zonave të prekura.

Spanja, një nga vendet evropiane më të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike, po përballet vitet e fundit me valë të nxehti gjithnjë e më intensive dhe periudha më të gjata me temperatura të larta.

Kjo valë e re vjen pas një qershori jashtëzakonisht të nxehtë, i cili u rendit si muaji i dytë më i nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve, me temperatura mesatare rreth 3.2 gradë Celsius mbi normalen.

Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta, të kombinuara me mungesën e reshjeve dhe tharjen e tokës e bimësisë, rrisin ndjeshëm rrezikun për zjarre masive në pyje dhe zona të thata.

Spanja u përball edhe vitin e kaluar me disa nga zjarret më të rënda të dekadave të fundit, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e kujdesit përballë kushteve ekstreme atmosferike.

EMISIONET