Çatia e një dyqani shembet në New Jersey/ 27 persona bllokohen brenda mes panikut

Çatia e një dyqani shembet në New Jersey/ 27 persona bllokohen

Momente paniku janë regjistruar në një dyqan të madh në New Jersey, pasi një pjesë e çatisë së objektit u shemb për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, duke bllokuar brenda 27 persona.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:16 të mëngjesit në BJ's Wholesale Club, ku menjëherë pas shembjes në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, Zyra e Sherifit të Qarkut Monmouth dhe ekipet e emergjencës.

Sipas raportimeve, dy persona mbetën përkohësisht të bllokuar nën rrënoja, por arritën të çliroheshin vetë dhe të dilnin nga ndërtesa pa pësuar dëmtime serioze.

Autoritetet thanë se të gjithë personat që ndodheshin brenda dyqanit u nxorën në siguri dhe, fatmirësisht, nuk pati të lënduar nga incidenti.

"Ky incident është një tjetër kujtesë se sa shpejt moti ekstrem mund të krijojë kushte të rrezikshme dhe të paparashikueshme", deklaroi Sherifi Sean Golden.

Ai vlerësoi reagimin e shpejtë të ekipeve të emergjencës, duke theksuar se pavarësisht përmbytjeve dhe kushteve të vështira atmosferike, autoritetet bashkëpunuan për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Dyqani nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare për ngjarjen, ndërsa autoritetet pritet të hetojnë shkaqet e shembjes së çatisë.

Moti ekstrem ka shkaktuar probleme të shumta në verilindje të Shteteve të Bashkuara, ku miliona njerëz janë përballur me paralajmërime për përmbytje dhe kushte të rrezikshme atmosferike.

EMISIONET