Arrestohen dy gazetarë në Turqi para samitit të NATO-s/ Akuzat dhe reagimet ngrenë shqetësime për lirinë e medias

Arrestohen dy gazetarë në Turqi para samitit të NATO-s/ Akuzat

Vetëm një ditë para nisjes së samitit të NATO në Ankara, autoritetet turke kanë arrestuar dy gazetarë, një zhvillim që ka ngjallur reagime dhe shqetësime për lirinë e medias në vend.

Sipas Media and Law Studies Association (MLSA), njëri prej të arrestuarve është gazetari Kayhan Ayhan, i njohur për raportimet e tij mbi procesin gjyqësor ndaj Ekrem İmamoğlu dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët përballen me akuza për korrupsion.

Ayhan u arrestua mbrëmjen e së hënës në banesën e tij dhe, sipas raportimeve, akuzohet për "përhapje të lajmeve të rreme". Ai pritet të dalë para gjykatës gjatë ditës së sotme.

MLSA deklaroi se, ndonëse pyetjet e policisë lidhen kryesisht me aktivitetin profesional të gazetarit dhe raportimet e tij mbi çështjen İmamoğlu, hetimi është regjistruar nga Prokuroria në kuadër të veprave që lidhen me terrorizmin.

Gazetari i dytë i arrestuar është Hazar Dost, i cili u ndalua në Stamboll ndërsa ndodhej në një dyqan pranë banesës së tij. Sipas mediave turke, ndalimi lidhet me pjesëmarrjen e tij në një protestë të zhvilluar në vitin 2018, çështje për të cilën ai ishte shpallur më parë i pafajshëm.

Megjithatë, pas apelimit të Prokurorisë, autoritetet vendosën arrestimin e tij, ndërsa gazetari pritet gjithashtu të paraqitet para gjykatës.

Arrestimet vijnë në një moment delikat për Turqinë, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdoğan pret në Ankara liderët e vendeve anëtare të NATO-s për samitin dyditor të aleancës.

Sipas MLSA-së dhe organizatave të tjera që monitorojnë lirinë e medias, muajt e fundit është vërejtur një rritje e ndalimeve dhe procedimeve penale ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe kritikëve të qeverisë, duke shtuar shqetësimet për kufizimin e hapësirës së lirisë së shprehjes në vend.

Deri tani, autoritetet turke nuk kanë dhënë një reagim të detajuar lidhur me arrestimet, ndërsa pritet që zhvillimet në gjykatë të hedhin më shumë dritë mbi akuzat ndaj dy gazetarëve.

 

EMISIONET