AI SI NDIHMË, JO SI ARMIK! Sindikatat Portuale në Australi: Duam 28 orë punë në javë, e rroga të paprekura
Punëtorët e porteve në Australi kanë kërkuar një javë pune prej 28 orësh pa ulje page, duke argumentuar se përfitimet nga inteligjenca artificiale duhet të ndahen edhe me punonjësit. Sindikata paralajmëron se automatizimi mund të rrezikojë deri në 1.000 vende pune.

Punëtorët e porteve në Australi kanë kërkuar uljen e javës së punës në 28 orë pa ulje page, duke argumentuar se përhapja e inteligjencës artificiale dhe automatizimit në sektor duhet të sjellë përfitime edhe për punonjësit. Kërkesa është bërë nga Unioni Detar i Australisë, i cili po zhvillon negociata me operatorin portual “DP World”.
Sipas sindikatës, DP World po zgjeron përdorimin e inteligjencës artificiale dhe automatizimit në operacionet portuale, duke rrezikuar vendet e punës të qindra punonjësve.
Unioni Detar i Australisë argumenton se nëse kompania përfiton nga teknologjia e re dhe rrit produktivitetin, atëherë një pjesë e këtyre përfitimeve duhet të reflektohet në uljen e orarit të punës pa prekur pagat.
Një studim i realizuar nga Qendra për Përgjegjshmërinë dhe Kërkimin mbi Tatimet Ndërkombëtare të Korporatave, i porositur nga sindikata, vlerëson se automatizimi mund të rrezikojë deri në 1.000 vende pune, ose më shumë se 60% të punonjësve të ngarkim-shkarkimit dhe mirëmbajtjes në porte.
Sipas raportit, kompania po teston mjete të inteligjencës artificiale për menaxhimin e stafit dhe planifikimin e turneve, si edhe po shqyrton përdorimin e vinçave me komandim në distancë dhe mjeteve autonome.
Në deklaratën e saj, sindikata thekson se teknologjia duhet të përdoret për të përmirësuar kushtet e punës dhe jo për të cenuar vendet e punës apo të ardhurat e punonjësve. Aktualisht, punëtorët e DP World në Australi punojnë mesatarisht 32 deri në 35 orë në javë, në varësi të portit ku janë të punësuar.
DP World, me seli në Dubai, është një nga operatorët më të mëdhenj portualë në botë, me aktivitete në 84 vende dhe mbi 126 mijë punonjës. Kompania administron rreth 10% të trafikut global të kontejnerëve dhe ka deklaruar më herët se përdorimi i inteligjencës artificiale është bërë thelbësor për menaxhimin e zinxhirëve gjithnjë e më kompleksë të furnizimit.


