Kryeministri Edi Rama reagon sërish ndaj grevës së grave naftëtare.

Rama ka thënë se me ultimatum nuk do funksionojë, teksa sërish i ka bërë thirrje të dalin nga greva për të diskutuar.

Asnjë presion, untimatum i asnjë formë nuk funksionon me mua dhe këtë qeveri. Në rastin e naftëtarëve e kam bërë të qartë dhe e kam përsëritur edhe sot që ne nuk jemi palë përballë një pale.

Ne jemi pjesë e një familje dhe me naftëtarët nuk kemi asnjë llogari të hapur apo për të mbyllur, pasi është një marrëdhënie private. Por në kushtet kur ata kanë këto vështirësi të mëdha dhe refuzojnë të hyjnë në programin e asistencës shtetërore sipas të gjitha ligjeve në fuqi, jam i gatshëm që të ulemi të diskutojmë dhe të qajmë këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria dhe as nuk kemi shkop magjik që mund ta zgjidhim me telegrame.

Duhet të dalin nga greva nëse duan të ulen me ne. Ne nuk kemi nevojë të sensibilizohemi për këtë çështjes, se jemi të sensibilizuar maksimalisht që nga dita e parë.

Me ultimatume, me shantazhe, me kërcënime, me forma detyruese, me shprehjet “Pagat pastaj ulemi dhe flasim”, më vjen keq por nuk funksionon. Jam shumë i keqardhur për ata që kanë ndërmarrë iniciativë, por jam i gatshëm të diskutojmë me ta me logjikë.

Ne nuk jemi duke ndenjur dhe duke i kthyer kurrizin, por ne do të bëjmë atë që kemi në dorë. Me ultimatum nuk fitohet gjë me qeverinë tonë, këtë ta kenë të qartë“, ka thënë Rama.

Më herët grevistet nuk pranuan thirrjet e Ramës, teksa deklaruan se vetëm të vdekura dalin nga greva nëse nuk marrin pagat e prapambetura.

LEXO EDHE: Gratë naftëtare i përgjigjen Ramës: Nëse nuk marrim pagat, harroje të dalim nga greva e urisë