Kredia e butë, ja shuma që familjet mund të tërheqin në bankë
Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, 999 familjet përfituese të kredisë së butë me interes 3% për blerje banese duhet të nisin procedurat me bankën. Drejtorja e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti, sqaron se në varësi të përzgjedhjes që do të bëj banka, ku disa familje mund të skualifikohen, do të rihapen aplikimet për të plotësuar vendet e mbetura. Gjithashtu, Ruseti sqaron se sa do të jetë shuma e kredisë që mund të tërheqin familjet në bankë sipas strukturës së apartamentit që kanë përfituar.
Tirane- Pas miratimit të vendimit për 999 familjet përfituese të kredisë së butë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, aplikantët duhet të nisin procedurat me bankën si dhe të gjejnë apartamentin. Drejtorja e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti, sqaron se lista e përfituesve do të depozitohet në bankë, pasi vendimi i Këshillit Bashkiak të konfirmohet nga Prefekti.
Ruseti: “Këshilli Bashkiak mori vendimin për të miratuar 999 përfitues nga subvencionimi i interesave të kredisë, të cilët, pasi të kemi marrë edhe legjitimitetin nga Prefekti i Tiranës për këtë vendim do duhet të kaloj si listë përfundimtare te banka e nivelit të dytë për të vijuar me procedurat për miratimin definitiv të kredive të buta”
Pas Bashkisë, vetë banka bën një përzgjedhje të dytë pëfituesve, ku ekziton edhe mundësia që disa familje të skuaifikohen. Ruseti bën të ditur se për këto vende, Bashkia e Tiranës do të shpallë një thirrje të dytë për aplikime të reja.
Ruseti: “Në momentin kur banka të na ketë kthyer përgjigjen e saj përfundimtare për sa nga 1 mijë përfituesit që ne kemi çuar listën nuk e kanë kaluar fazën definitive në bankë, do duhet që të daim me një thirrje të dytë vetëm për numrin se sa do na kthehen nga banka. Do t’i sygjeroja gjithë qytetarëve të Tiranës që në këtë moment të mos të bëjnë aplikime për këtë program sepse ne sigurisht që jemi të detyruar të pranojmë dokumentet që ata sjellin, por do të jenë dokumente të cilat nuk do t’i nënshtrohen asnjë vlerësimi nga Komisoni i Strehimit”
Ruseti sqaron se sa është shuma e kredisë që familjet mund të tërheqin në bankë sipas strukturës së apartamentit që kanë përfituar.
Ruseti: “Janë tre struktura të apartamentit dhe një familje e cila ka dalë përfituese për strukturën garsionere mund të mari kredi deri në 3 milion e 500 mijë; një familje që e ka për 1 plus 1 deri në 4 milion e 200 mijë dhe një familje me 2 plus 1 mund të mari 5 milion e 700 mijë nga banka. Në momentin e nënshkrimit të kontratës me familjarin banka do na sjelli listën përfundimtare të atyre që kanë përfituar kredi”
Gjatë muajit qershor pranë Bashkisë së Tiranës aplikuan mbi 2200 persona për të përfituar kredi të butë. Prioritet në përzgjedhjen e përfituesve kishin çiftet e reja si dhe familjet që vijnë nga kategoritë në nevojë. Interesi i kredisë do të jetë 3%, ndërsa kohëzgjatja 20 vite.
/Oranews.tv/
