Katër fuqi botërore kundër Rusisë: Shkeli sovranitetin e Britanisë
Aleatët e Mbretërisë së Bashkuar kanë dënuar sulmin kimik ndaj një ish-spiuni rus, duke e quajtur si “ofensivën e parë të kësaj natyre në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore”. Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara deklarojnë se përgjegjësia ruse pas këtij sulmi është “i vetmi shpjegim bindës”.
Liderët e Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për sulmin kimik të ndodhur në Britani ndaj një ish-agjenti rus, ku Moska fajësohet si përgjegjëse.
Superfuqitë e dënuan aktin si “përdorimin e parë ofensiv të një agjenti nervor në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore,” duke e konsideruar gjithashtu si sulm ndaj sovranitetit të Mbretërisë së Bashkuar.
Deklarata e përbashkët e katër kombeve shkon më tej, duke akuzuar Rusinë për shkelje të qartë të Konventës për Armët Kimike dhe ligjit ndërkombëtar, që vendos në rrezik sigurinë e të gjithëve.
Kombet nxitën Rusinë t’i përgjigjet menjëherë të gjitha pyetjeve lidhur me ngjarjen dhe të sigurojë detaje për agjentin nervor të përdorur në sulmin ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij.
Katër superfuqitë i rikujtojnë Rusisë që si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbrojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
