Burg bashkëpunëtorit të atentatit në Kurbin, Ilir Xhepaj mohon lidhjen me vrasjen e dyfishtë

Burg bashkëpunëtorit të atentatit në Kurbin, Ilir Xhepaj

Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg Ilir Xhepajn, të arrestuarin si bashkëpunëtor në atentatin ndaj dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. 33-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa ka pranuar njohjet me ekzekutorin Eduart lamaj dhe dy të shpallurit e tjerë në kërkim. Të arrestuar në kuadër të kësaj ngjarje, dy mjekët Besim Lama dhe Viktor Marku kërkojnë përjashtimin e prokurores së çështjes.

Ilir Xhepaj, 33-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor i atentatit ndaj dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji ka mohuar lidhjet me atentatin e 30- majit.

Para grupit hetimor, Xhepaj është shprehur se e njeh ekzekutorin Eduart Lamaj dhe dy të dyshuarit e tjerë, por jo që të ketë bashkëpunuar për kryerjen e atentatit.

Fillimisht ai është mbajtur në paraburgim në kryeqytet me pas është dërguar në Kurbin.

Këtë të hënë, 33-vjeçari është përballur me akuzat në gjykatën e Kurbinit, e cila vendosi të lërë në qeli Xhepaj, pasi ka dyshime se ka bashkëpunuar në realizimin e atentatit.

Hetuesit janë duke kryer ekspertizë dhe të dy armëve të gjetura në afërsi të klinikës private.

Nga verifikimet paraprake nuk ka rezultuar që armët të jenë përdorur gjatë atentatit, ndërsa po kryhen verifikime të tjera pasi dyshohet se janë të autorëve.

Në kërkim për vrasjen e dy biznesmenëve vijon të jetë 21-vjeçari Klaudio Përkola, djali i një efektivi policie si dhe 31-vjeçari Elson Alija.

Në qeli vijon të qëndrojë me masë sigurie "arrest me burg" ekzekutori Eduart Lamaj, si dhe dy mjekët Viktor Marku dhe Besim Lama të cilët mjekuan ilegalisht 30-vjeçarin në klinikën private Amavita.

Mjekët të cilët akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe moskallëzim krimi, nëpërmjet avokatëve kanë kërkuar përjashtimin e prokurores Arjola Prençi dhe zëvendësimin e saj me një prokuror tjetër.

Kjo kërkesë sipas tyre argumentohet me pretendimet se bashkëshorti i prokurores është arrestuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion, ndaj nuk mund të pritet drejtësi nga ajo.

Dy mjekët e dyshuar, nëpërmjet mbrojtësve të tyre kanë depozituar ankimet përkatëse duke kërkuar lirinë nga Gjykata e Apelit.

Lexo edhe: Biseda telefonike që ''fundosi'' Ilir Xhepajn

EMISIONET