Eksportet në rënie të lirë
Pas përgjysmimit të rritjes ekonomike, edhe eksportet shqiptare kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave të INSTAT, në 9 muaj eksportet u ulën me 2.8%, ndërsa vetëm gjatë muajit shtator u ulën me 5.5%. Shqetësim mbetet se rënia e eksporteve gjatë shtatorit ka ndodhur me vendet kryesore partenere si Kosova, Italia dhe Greqia.
Eksportet shqiptare kanë pasur një ecuri negative gjatë këtij viti.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 9 muaj tregtia me jashtë ka pësuar një ulje me 2.8%, ndërsa ka qenë më e ndjeshme gjatë shtatorit me një ulje me rreth 5.5%.
Këto janë disa tregues të tjerë negativë pas përgjysmimit të rritjes ekonomike në 6 muajt e parë të vitit.
Shqetësues mbetet edhe fakti se vlerat negative të eksporteve janë shënuar me tre partnerët kryesorë tregtarë siç janë Kosova, Italia dhe Greqia.
Edhe pse si 9 mujor eksportet drejt Kosovës janë rritur, gjatë muajit shtator ato janë me një ulje prej 6.2 %.
Performanca negative e eksporteve ka ardhur kryesisht nga tre grupe “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” si dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Nëngrupi tekstile e këpucë shënoi një rënie me 3% ose me rreth 90 mld lekë e ndikuar kryesisht nga euro e dobët.
Ndërkohë thatësira ka sjellë rënie të konsiderueshme të eksporteve me rreth 17.2% në zërin e mineraleve, lëndë djegëse, energji elektrike.
Në rënie ishin dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, me tkurrje 13.2% kryesisht nga performanca e dobët e industrisë së çimentos dhe tullave.
Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 225 mld lekë, dhe importet e mallrave arritën vlerën 481 mld lekë, duke u rritur me 3,0 %, krahasuar me një vit më parë.
Defiçiti tregtar arriti vlerën 256 mld lekë, duke u rritur me 8,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
