Zjarri në Novoselë nuk shuhet plotësisht, vatra riaktivizohet mëngjesin e sotëm

Vatra e zjarrit në Novoselë është riaktivizuar mëngjesin e kësaj të mërkure, duke rikthyer shqetësimin për përhapjen e flakëve në zonë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një shtëllungë të madhe tymi që është ngritur mbi zonën ku një ditë më parë u regjistrua zjarri.
Flakët përfshinë një hapësirë me shkurre, barishte dhe ullinj. Gjatë ndërhyrjes së djeshme, forcat zjarrfikëse arritën ta izolonin zjarrin dhe të pengonin përhapjen e tij në sipërfaqe më të mëdha.
Megjithatë, për shkak të errësirës, ndërhyrja nuk mundi të vijonte deri në shuarjen e plotë të vatrës, duke bërë që disa zona të mbeteshin aktive.
Me rikthimin e flakëve këtë mëngjes, ekipet zjarrfikëse kanë vijuar punën për neutralizimin e vatrës dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt zonave përreth.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa situata po monitorohet nga autoritetet lokale.


