“Bota jote bëhen vetëm ata njerëz”/ Egli Tako rrëfen për herë të parë si ndryshon realiteti brenda BBV (VIDEO)

Këngëtarja Egli Tako ka folur për periudhën e saj në Big Brother VIP Albania, duke treguar ndikimin që ka izolimi i gjatë te emocionet, mendimet dhe marrëdhëniet mes banorëve.
E ftuar në “Grida Duma Podcast”, Egli tregoi se eksperienca në shtëpinë më të famshme në Shqipëri është e vështirë të kuptohet nga ata që nuk e kanë përjetuar, pasi shkëputja totale nga bota jashtë ndryshon mënyrën se si njerëzit e shohin realitetin.
Sipas saj, gjatë qëndrimit në shtëpi banorët krijojnë një hapësirë të veçantë, ku jeta jashtë duket shumë larg dhe vëmendja përqendrohet vetëm te njerëzit dhe situatat brenda programit.
“Kur hyn aty nuk e di nëse jeta jashtë vazhdon njësoj. Ti shkëputesh totalisht nga realiteti. Nuk jeton më në atë botë që ke lënë pas, por vetëm në atë hapësirë, me ata njerëz dhe ato situata që bëhen e gjithë bota jote”, u shpreh Egli.
Ajo tregoi se mungesa e kontaktit me familjen, miqtë dhe jetën e përditshme bën që emocionet mes banorëve të përjetohen më intensivisht. Në një ambient ku gjithçka ndodh larg realitetit të zakonshëm, marrëdhëniet marrin një rëndësi më të madhe.
Fjalët e saj janë lidhur edhe me historinë e dashurisë që krijoi me Gjestin gjatë këtij edicioni të Big Brother VIP Albania. Lidhja e tyre nisi brenda shtëpisë dhe u kthye në një nga historitë më të komentuara të sezonit, por pas përfundimit të spektaklit dyshja u përball me vështirësi dhe u nda pak kohë më vonë.
Egli u ndal edhe te ndikimi emocional i këtij formati, duke e përshkruar Big Brother jo vetëm si një program televiziv, por si një eksperiencë ku njerëzit përballen me presion, ndjenja të forta dhe situata që në ato kushte duken edhe më reale.


