"VIP"-at DALIN NGA BURGU/ Lirohet pastruesja që vodhi 500 mijë euro në banesën e ish-zyrtares së PS-së, Erisa Fero dhe nipi i ish-deputetit socialist

Ligji për amnistinë penale ka hyrë sot në fuqi, duke nisur procedurat për lirimin e qindra personave të dënuar në vend. Mes 1335 përfituesve janë edhe disa emra të njohur të përfshirë më herët në çështje penale, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.
Amnistia u miratua nga Kuvendi më 18 qershor dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor. Nga zbatimi i saj përfitojnë gra, të mitur dhe persona të tjerë të dënuar që përmbushin kushtet ligjore.
Ndër personat që fitojnë lirinë është Rozeta Dobi, e njohur si pastruesja e akuzuar për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesën e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi.
Dobi u arrestua në janar të vitit 2023 për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku punonte prej rreth pesë vitesh si pastruese.
Gjatë hetimeve, policia ushtroi kontroll në banesën e Rozeta Dobit, ku u gjetën dhe sekuestruan 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe një sasi bizhuterish floriri, të fshehura në tubin e aspirimit.
U sekuestruan gjithashtu 58.150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë të rinj dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.
Çështja mori jehonë të madhe publike jo vetëm për shumat e konsiderueshme të parave të gjetura, por edhe për hetimet që pasuan mbi origjinën e tyre.
Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka rifituar sot lirinë, duke lënë qelinë e burgut të Pojskës si përfituese e amnistisë penale.
Në listën e përfituesve është edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili u arrestua pasi u kap me lëndë narkotike.
Nga amnistia përfiton gjithashtu edhe Erisa Fero, ish-punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e arrestuar në dhjetor 2022 pasi u kap me 58 kilogramë kanabis.
Po ashtu lirohet nga burgu edhe Florian Përvathi, i mituri që vrau për gjakmarrje Lek Lekgjonajn, më 24 janar 2022.


