Sekuestrohen dy apartamentet dhe garazhi i trafikantit/ Prokuroria: Pasuritë nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme

Dy apartamente dhe një garazh janë vendosur nën sekuestro me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj një shtetasi të dënuar me 10 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Procedimi pasuror nr. 02 i vitit 2026 është zhvilluar ndaj shtetasit me iniciale A.A., pasi hetimet kanë ngritur dyshime për një mospërputhje mes pasurive të zotëruara dhe të ardhurave të ligjshme të deklaruara.
Sipas Prokurorisë, të ardhurat e dokumentuara të A.A. dhe familjarëve të tij nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet personale dhe investimet e kryera në pasuri të paluajtshme.
Nga verifikimet financiare dhe akti i ekspertimit kontabël ka rezultuar një diferencë e dukshme mes vlerës së pronave dhe burimeve të ligjshme financiare të deklaruara.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar këto pasuri:
Një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m², së bashku me një verandë prej 44 m², në një kompleks multifunksional në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m², si dhe një garazh prej 16 m², në katin -2 të një kompleksi multifunksional në ndërtim në rrugën “Kahreman Ylli”.
Sipas Prokurorisë, pasuritë e identifikuara plotësojnë kriteret ligjore për sekuestrim dhe konfiskim, pasi dyshohet se nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të subjektit.
A.A. është dënuar më parë me 10 vite burg për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa hetimi pasuror vijon për të përcaktuar origjinën e pasurive të sekuestruara.


