AMNISTIA/ Lirohen 104 të dënuar në burgun e Fierit, mes tyre edhe dy të rrezikshëm dhe 2 të huaj, 210 të tjerë përfitojnë ulje dënimi

Ka nisur zbatimi i ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie” edhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier. Pas shqyrtimit të dosjeve të të gjithë të dënuarve me vendim penal të formës së prerë, komisioni i ngritur për zbatimin e ligjit vendosi që 104 të dënuar të lirohen nga vuajtja e mëtejshme e dënimit, ndërsa rreth 210 të dënuar të përfitojnë ulje dënimi me një vit, e cila do t’u zbritet nga periudha e mbetur.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së IEVP Fier, pjesa më e madhe e të liruarve janë dënuar për vepra penale me marzh të ulët dhe mesatar dënimi. Nga amnistia përfitojnë gjithashtu edhe dy shtetas të huaj: pakistanezi Asat Ali, i dënuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe rumuni Florian Balanesku, i dënuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.
Mes përfituesve janë edhe të dënuar me masa të larta dënimi, të cilëve në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit u kishte mbetur më pak se një vit për të vuajtur. Bëhet fjalë për Luan Fushën, i dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”, i arrestuar në korrik të vitit 2008, si dhe Erild Gegën, i dënuar me 14 vite burg për “Vjedhje me dhunë”, i arrestuar në vitin 2014.
Nga amnistia përfitojnë gjithashtu edhe 7 të dënuar mbi moshën 60 vjeç, të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit nga dënimi për të vuajtur.
Né ambientet e jashtme té burgut prisnin famiiljaré ndérkohé qé té liruarit e kané vleresuar amnistine si pozitive.

