Zjarret në Parkun Kombëtar të Prespës, Jole: Ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit

Ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës vijon me intensitet të lartë prej orëve të para të mëngjesit.

Në një postim në Facebook, Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, ka informuar publikun se forcat zjarrfikëse të bashkisë Pustec, stafi i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe efektivë të ushtrisë kanë nisur operacionin që në orën 05:00 të mëngjesit të sotëm.

“Terreni është i thepisur dhe prezenca e disa vatrave e bën ndërhyrjen sfiduese,” – shkruan Jole, – “por forcat janë të angazhuara në maksimum për të parandaluar përhapjen e flakëve në pjesët ende të paprekura të kurorës së gjelbër.”

Synimi është që gjatë ditës së sotme të neutralizohen plotësisht të gjitha vatrat aktive. Autoritetet lokale janë në terren dhe po bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar mbrojtjen e zonës së mbrojtur dhe biodiversitetit të Parkut të Prespës, një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të vendit.

Prefekti ka falënderuar të gjitha forcat për angazhimin dhe ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarrit janë në vijim.

Postimi i plotë:

Rreth forca nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Pustec, stafi i agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura, ushtrisë, kanë filluar ndërhyrjen edhe sot që në orën 5:00 për neutralizimin e sipërfaqes së prekur nga zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës.

Terreni i sipërfaqes ku ka prezencë të disa vatrave të zjarrit është i thepisur dhe krijon vështirësi, por forcat janë të angazhuara në më të mirën e mundësive të tyre për të evituar rrezikun e shtrirjes së zjarrit në pjesë të paprekura të kurorës së gjelbër dhe idealisht fikur çdo vatër brenda ditës së sotme.

EMISIONET