Zhdukja e dy personave në Sarandë për drogën në Korfuz/ Benzi i gjetur në Nivicë u përdor në vendosjen e tritolit në vilën e Afëz Kullës

Zhdukja e dy personave në Sarandë për drogën në Korfuz/

Zhdukja e dy personave në qytetin e Sarandës, lidhet me kapjen në 6 raste të ndryshme, të një sasie droge në ishullin turistik të Korfuzit në Greqi.

Operacioni i policisë greke i kryer në janar 2023, çoi në arrestimin e 8 personave, mes të cilëve dhe një shqiptari, i cili ishte drejtuesi i trafikut të marjuanës nga territori shqiptar në atë grek.

Dy personat që besohet se janë vrarë në fshatin Vrinë të Konispolit, ka indicie të forta se janë implikuar në këtë trafik droge.

Policia e Sarandës, tha për Ora News se ky grup kriminal ka filluar të funksionojë prej muajit korrik 2021.

Këtij grupi në 2 korrik 2021 i janë sekuestruar 3.6 kg marijuanë, në 1 qershor 2022 i janë sekuestruar 2.8 kg marijuanë, në 29 qershor 2022 i janë sekuestruar 4.7 kg marijuanë, në 1 shtator 2022 i janë sekuestruar 4.4 kg marijuanë dhe në 27 tetor i janë sekuestruar 3.4 kg marijuanë.

Ndërsa në 14 janar 2023, kur është finalizuar operacioni, një tjetër sasi droge është sekuestruar nga policia helene.

Ndërkohë Ora News ka mundur të zbardhë detaje mbi makinën tip “Benz-Mercedes” që është përdorur në marrjen peng të Fatmir Sulovarit, njërit nga dy të zhdukurit në qytetin e Sarandës, rezulton të jetë përdorur në një ngjarje të dytë kriminale.

"Benzi" që ka ndryshuar dy herë ngjyrën, lëvizte në Sarandë, duke përdorur targat e vjedhura të një makine tjetër në Tiranë.

Mësohet se makina që tashmë është zbuluar në fshatin Nivicë të Himarës, për llogari të çështjen penale të rrëmbimit dhe zhdukjes së Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit alias Koçole, rezulton të jetë përdorur dhe në ngjarjen kriminale të datës 5 dhjetor 2022 në Sarandë.

Bëhet fjalë për ngjarjen ku është vendsur një sasi tritoli në derën e vila “Kulla”, e cila është pronë e Lefter Lefterit alias Afëz Kulla.

Ky i fundit është ndërtues në Sarandë, ndërsa ka pasur disa herë probleme me ndërtimet, duke sjellë dhe shoqërimin në polici.

Policia, e ka pikasur prezencën e "Benz-Mercedezit", pikërisht në muajin dhjetor 2022.

Deri në zonën e Nivicës, makina është gjurmuar përmes kamerave të bizneseve dhe kamerave të instaluara nga vetë policia në segmentin rrugor Sarandë-Himarë.

Ndërkohë makina në këtë periudhë nuk ka mundur të gjendet. Mjeti është mbajtur në një magazinë në fshatin Nivicë.

Ku pasi është lyer me bojë tjetër, sërisht ka dalë në qarkullim në rrugët e Sarandës, po këtë herë për të marë peng dhe transportuar drejt fshatit Vrinë, Fatmir Sulovarin.

Fati i këtij të fundit së bashku me mikun e tij, Leonard Theodhori, nuk dihet zyrtarisht nëse është gjallë apo i vdekur.

Nga ana tjetër policia dhe familjarët kanë humbur shpresat për mundësinë e gjetjes së tyre të gjallë.

Dy personat e marrë peng, ka shumë dyshime të forta se janë ekzekutuar në fshatin Vrinë të Sarandës.

Mes personave të shoqëruar është dhe një individ që ka informacion mbi fatin e dy të zhdukurve Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori.

Ky person fillimisht, ka treguar se dy të zhdukurit janë ekzekutuar në fshatin Vrinë.

Po rrëfimin e tij para policisë ai e ka ndërprerë, duke mos pranuar të tregojë vendin e saktë ku janë fshehur trupat e pajetë.

Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori, (Koçole) u zhdukën në 6 Prill 2023.

Ndërkohë në 10 Prill, familjarët i janë drejtuar komisariatit të Sarandës, duke depozituar kallëzim penal për humbjen pa gjurmë të dy personazheve të botës së krimit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

dy te zhdukur fatmir sulovari leonard theodhori sarande

EMISIONET