Një javë pas vr*sjes së Edmond Sulës në Bërxullë/ Policia verifikon pista të reja: Sula, bashkëaksioner në një kompani në Maqedoninë e Veriut

Një javë pas vrasjes së Edmond Sulës në Bërxullë, autori i dyshuar i atentatit vijon të mbetet i paidentifikuar. Mënyra e ekzekutimit dhe kujdesi i treguar gjatë ngjarjes e kanë bërë më të vështirë identifikimin e personit që qëlloi ndaj 50-vjeçarit.

Hetuesit e Policisë së Tiranës po vijojnë verifikimin e disa pistave, ndërsa deri tani asnjëra prej tyre nuk ka sjellë një rezultat konkret për zbardhjen e ngjarjes.

E shkuara e Edmond Sulës, i njohur edhe si Ali Sula, dhe konfliktet e mëparshme e kanë zgjeruar rrethin e hetimit. Autoritetet po analizojnë marrëdhëniet e tij personale, aktivitetet ekonomike dhe përplasjet e mundshme që mund të kenë çuar në atentat.

Një nga pistat që po verifikohet lidhet me aktivitetin e tij në Maqedoninë e Veriut. Sipas informacioneve të siguruara nga hetuesit, Sula ka qenë bashkëaksioner në një kompani të licencuar për prodhimin e kanabisit mjekësor, aktivitet që lejohet ligjërisht në këtë shtet.

Dyshimet për një konflikt të mundshëm në këtë biznes janë pjesë e verifikimeve, por deri tani nuk ka prova konkrete që ta lidhin këtë aktivitet me vrasjen.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve në Maqedoninë e Veriut për të marrë më shumë informacion mbi aktivitetin dhe marrëdhëniet e Sulës në këtë kompani.

Paralelisht, hetuesit po shqyrtojnë edhe pista të tjera që lidhen me konfliktet në komunitet, dyshimet për dhënie parash me fajde, si dhe përplasjet e mundshme nga aktiviteti në fushën e pronave.

Puna për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motivit të vrasjes vijon, ndërsa grupi hetimor po mbledh dhe analizon çdo element që mund të çojë në zbardhjen e atentatit në Bërxullë.

 

EMISIONET