EMRI/ Kreu dy vjedhje brenda 48 orësh dhe dogji lokalin, arrestohet 36-vjeçari në Lushnjë

Policia e Lushnjës ka finalizuar operacionin e koduar “Again”, duke zbardhur dy raste vjedhjeje të ndodhura në fshatin Plug dhe duke vënë në pranga personin e dyshuar si autor.
Në pranga është vënë Margiglen Gashi, 36 vjeç, banues në fshatin Plug, i cili rezulton i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 36-vjeçari ka kryer dy vjedhje brenda dy ditësh, më 16 dhe 17 korrik 2026, në të njëjtën zonë.
Rasti i parë është regjistruar më 16 korrik, kur ai dyshohet se ka vjedhur dy bateri automjetesh.
Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit, 36-vjeçari dyshohet se është futur në një lokal në fshatin Plug, ku ka marrë një shumë parash dhe një laptop.
Pas vjedhjes, ai dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit në kuadër të operacionit “Again”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e veprimeve ligjore.


