Vrasja e Mimoza Pajës/ RENEA dhe FNSH, kontrolle blic në Vlorë dhe Shkodër. Juxhin Orhanit i kapen armë dhe 39 mijë €
Ngjarja e rëndë e ndodhur në mbrëmjen e 12 Marsit 2023 në zonën e “Don Boskos”, ku viktimë mbeti gjyshja, Mimoza Paja dhe i plagosur Sahit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, ka sjellë një operacion blic në qytetin e Vlorës.
Ora News mëson se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ato të RENEA-s të shoqëruara dhe nga grupet hetimore të policisë së Vlorës, kanë kryer kontrollin e 20 apartamenteve në qytetin e bregdetar.
Përmes urdhrit të lëshuar nga prokurori Dyrmishi, janë ushtruar kontrolle dhe në disa banesa të personave në kërkim në qytetin e Shkodrës, Lezhës dhe Laçit.
Kontrollet në Shkodër janë kryer për të kapur Duel Mehmedaj, Astmer Bilalin dhe Bajram Çekorjan.
Ndërkohë në Vlorë kontrollet janë kryer në dy zona, që veprojnë dy grupe kriminale rivale, ku pjesa më e madhe e personave nuk janë gjendur në banesat e tyre.
Qëllimi i kontrolleve, ishte kapja në befasi e personave me precendentë kriminalë në qytetin e Vlorës dhe që janë pjesë e grupeve kriminale në këtë zonë.
Sipas burimeve të Ora News, kontrollet e policisë në 20 banesa, kanë marë indicie nga një vendim gjykate i lëshuar nga Gjykata e Tiranës.
Kjo pasi prokurori Ardiano Durmishi, që po ndjek hetimet për ngjarjen e sulmit me armë në lokalin e Fation Muratit në “Don Bosko”, kishte kërkuar më parë autorizimin në gjykatë për lejimin e kontrolleve.
Sapo prokurori Dyrmishi, ka marrë vendimin e gjykatës ka urdhëruar FNSH dhe RENEA për ekzekutimin tij, me qëllim kontrollin e 20 banesave në Vlorë.
Nga 20 kontrollet e ushtruara, mësohet se vetëm në një nga banesat policia ka arritur të gjejë armë dhe një shumë monetare prej 39 mijë euro.
Ndaj për këtë gjë, policia e Vlorës shpalli në kërkim 33-vjeçarin Rodrigo Shemsho alias Juxhin Orhan. Ky i fundit rezulton person me precedent penalë kundër personit dhe mbajtjes pa leje të armëve.
Kontrollit të policisë i është nënshtruar dhe banesa e Inez Hajrullës, i cili nuk është gjetur në shtëpi.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.