Virozat e verës shtojnë fluksin në pediatri, mjekët: Deri në 40 fëmijë në ditë paraqiten për ndihmë

Virozat e verës shtojnë fluksin në pediatri, mjekët: Deri

Nisja e sezonit veror dhe temperaturat e larta kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve që paraqiten për ndihmë mjekësore. Mjekët raportojnë më shumë raste me viroza sezonale, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe probleme dermatologjike të lidhura me ekspozimin në diell dhe frekuentimin e pishinave.

Mjekja pediatre Anila Sevdari thotë se gjatë kësaj periudhe është vërejtur një fluks i shtuar i pacientëve të vegjël.

“Kemi problemin e virozave që i takon rrugëve respiratore të sipërme, dhe sidomos të dermatiteve virale që janë të lëkurës, të cilat janë të lidhura ngushtë me ekspozimin në diell dhe frekuentimin e pishinave dhe qëndrimin për kohë të zgjatur në rërë dhe det. Për mjekë mund të shkojnë edhe në 40 raste në ditë, paradite ka më shumë fluks se pasdite”, tha ajo për “Abc News”.

Sipas mjekëve, simptomat më të zakonshme janë temperatura e lartë, hundët e bllokuara, dhimbjet e fytit dhe problemet me sistemin tretës.

“Në pjesën më të madhe janë infeksione virale që zgjasin 2-3 ditë, por ka raste kur mbivendosen infeksione bakteriale. Ankesa kryesore mbetet temperatura e lartë disaditore, si edhe problemet me sistemin tretës”, shpjegoi Sevdari.

Më të prekur rezultojnë fëmijët e moshës parashkollore, të cilët gjatë verës kalojnë më shumë kohë në aktivitete të përbashkëta dhe ambiente të mbipopulluara.

Specialistët u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura ekstreme, të sigurojnë ushqim të freskët dhe të shmangin grumbullimet e mëdha.

“Rekomandojmë ushqim sa më të freskët dhe të përgatitur në shtëpi, shmangien e orëve të pikut të vapës dhe të ambienteve të mbipopulluara me fëmijë, pasi virozat përhapen shumë lehtë”, theksoi mjekja.

Për të mbrojtur fëmijët nga efektet e diellit, mjekët këshillojnë gjithashtu përdorimin e rregullt të kremrave mbrojtës, me aplikim të përsëritur çdo dy deri në tre orë gjatë ekspozimit në diell./Boldnews

EMISIONET