VIDEO/ Rrugorja nuk fal as në Dibër, gjobiten 562 shoferë për shkelje të rregullave të qarkullimit
Policia Rrugore e Dibrës gjatë javës që lamë pas kreu një monitorim me radarë, makina inteligjente dhe dragera në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun.
Policia njoftoi sot se si rezultat i monitorimit, janë proceduar penalisht 4 shtetas për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar administrativisht 562 drejtues mjetesh, konkretisht: 149 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore; 87 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara; 58 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; 10 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 51 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 5 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit; 202 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, njoftoi policia.
Policia Rrugore e Dibrës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të mjetit dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme në rrugë, pasi çdo shkelje mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

