VIDEO/ Përplasi me makinë një qen, shpallet në kërkim 59-vjeçari në Korçë

Policia e Korçës shpalli në kërkim drejtuesin e një automjeti pasi shtypi një kafshë në një rrugicë në qytetin e Korçës.
Policia bëri me dije se në lidhje me një video të publikuar në një rrjet social, ku shfaqet një automjet që shtyp një kafshë shtëpiake (qen), në një rrugicë të qytetit të Korçës, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim drejtuesin e automjetit që shfaqet në video, shtetasin: Gj. Ç., 59 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, automjetin me të cilin dyshohet se ai ka shtypur qenin.
Sipas policisë, qenit iu dha shërbim veterinar dhe iu dorëzua pronarit.
Vijon puna për kapjen e shtetasit Gj. Ç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, mbetur në tentativë.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie.

