VIDEO/ Jo vetëm pallat i kok*inës së Aruba-s, zbulohet kulla simbol edhe i parave korruptive të AKSHIT…

Paralelisht, SPAK dyshon dhe vijon hetime intensive, se të ardhurat nga ky aktivitet janë investuar në Shqipëri në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe biznese, si pjesë e skemës së pastrimit të parave nga aktiviteti kriminal i periudhës 2017 e në vijim.
Kjo përbën edhe thelbin e dosjes hetimore.
“Në Shqipëri vazhdon e ndërtohet në ritme marramendëse, ndërkohë që sasia e parave që futet në këto ndërtime nuk mund të jetë kurrsesi e justifikuar. Kështu që nëse do krijohej një precedent do të ishte precedenti më i mirë për të futur ekonominë shqiptare në shinat e ligjshmërisë”, u shpreh avokati, Rezart Kthupi.
Një prej emrave big në këtë dosje është edhe Orgest Birçaj, i njohur si zotëruesi i kompanisë së makinave luksoze Top Seven. Përpos akuzave për trafik kokaine dhe grup kriminal, Birçaj kishte themeluar biznesin si mjet për pastrimin e parave dhe justifikimin e milionave. Top Seven, njihej si biznesi i VIP-ave shqiptarë ku merrnin makina për përdorim apo blerje. SPAK sekuestroi edhe kompaninë tjetër të tregtimit të veturave “Auto Fusion Plus” që po ashtu dyshohet se kishte mision pastrimin e parave.
Në qendër të analizës qëndrojnë subjekte që kanë ngritur kulla e pallate luksoze në zonat më elitare të kryeqytetit, ku përfshihen emra si Ilir Shtufi dhe Orest Sota. I pari shërbente si lavatriçja e pastrimit të parave, ndërsa i dyti, përpos bizneseve, i përfshirë edhe vetë drejtpërdrejt në trafikun e lëndëve narkotike, siç zbuluam më sipër…
Në dosjen hetimore, në fokus të skemës së dyshuar të pastrimit të parave janë kompanitë e Shtufit “Nova Construction 2012”, sot “Nova Group” dhe “LTD Co” sh.p.k. Këto struktura biznesi dyshohet se janë përdorur si kanale për të injektuar dhe qarkulluar të ardhurat e gjeneruara nga aktiviteti kriminal i grupit të drejtuar nga Luçiano Koçeku.
“Ndaj Luçiano Koçekut janë kryer veprime hetimore në këqyrje të sistemeve elektronike mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim dhe lidhjeve të tij, është vijuar me këqyrjen e akteve noteriale me të cilat janë bërë pronarë, kanë përfituar pronësinë, kanë lidhur kontrata sipërmarrjeje me subjektet ndërtuese/zhvilluese, kanë lidhur kontrata dhurimi, prokura në delegim veprimesh, huamarrje dhe huadhënie, kredimarrje, të kryera me persona fizikë dhe juridikë të lidhur me vetë personin nën hetim Luçiano Koçeku, dhe akte noteriale të revokuara pas në kohë, të cilat në thelb të tyre bartin fiktivitetin dhe shërbejnë sa për të fshehur burimet e paligjshme të përftuara nga trafiku i lëndës narkotike”, nga dosja hetimore.
Takimet në ishullin e luksit në Karaibe ngjizën atë që mund të konsiderohet edhe si aleanca e kullave, resorteve apo bizneseve të pastrimit të parave. Për të kuptuar se si funksiononte grupi në fjalë, nga detajet që përmban dosja, duhet të shohim rezultatet në Tiranë dhe jug të Shqipërisë.
Në takime të zhvilluara në Majorka, Belgjikë e Aruba, takime të cilat konsistuan në vitet 2018-2021 kryesisht në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, por edhe për investime disa miliona euro të gjeneruara prej këtij aktiviteti të paligjshëm duke u fshehur pas subjekteve ndërtuese të njohura në aktivitetin e ndërtimit, të cilat përfitojnë lehtësisht leje zhvillimi dhe ndërtimi.
“Takimi përfshihet në atë që quhet sfera e rrethanave, indicieve apo provave që provojnë qëllimin fundor, dhe qëllimi fundor në këtë rast është injektimi i parave të pista në sektorin e ndërtimit duke devijuar atë që është korpusi ligjor shqiptar për të arritur pastaj për të ndërtuar në atë që nuk është vend që duhet të ndërtojë”, u shpreh Rezart Kthupi, avokat.
Mes tyre, simbol i dosjes që ndoshta mund të përmbysë një epokë për ekonominë shqiptare është kjo godinë, e njohur si “Garden Building”. Kulla e ngritur në zemër të kryeqytetit dhe e përmendur në dosjen hetimore si pjesë e skemave ku ndërthuren interesat e personave të lidhur me botën e krimit, pasurive të paluajtshme dhe pastrimit të parave.
Nga bisedat e zhvilluara në platformën SkyECC midis Luçiano Koçeku dhe Genci Bedini mësohet se Ardian Zykaj do edhe një tjetër dyqan tek Rruga e Kavajës, Tiranë, me sipërfaqe 600 m2, si edhe në katin -1 duke krijuar dyshimet se personi nën hetim Luçiano Koçeku ka gjurmë të integrimit të shumave të tij monetare të përfituara nga trafiku i narkotikëve edhe në objekt të ndërtuar në Rrugën e Kavajës.
Madje, në një investigim të mëparshëm, Inside Story zbuloi se në këtë godinë ishin investuar jo vetëm paratë e kokainës, por edhe financat me burim korrupsionin. Kjo godinë, është baza e bizneseve të Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtorit të AKSHIT që sot është nën hetim për korrupsion dhe grup kriminal. Përmes kontratave të ndryshme, prestanomët e lidhur me Shimën shërbyen si furnitorë ndaj subjektit zhvillues në kullën e financuar me paratë e krimit.
Lindin dyshime se edhe në këtë ndërtim është personi nën hetim i cili menaxhon shitjet e këtij objekti, kërkesat që vijnë për ambientet në të (si në rastin e Ardjan Zykës) dhe se fakti që në këtë objekt kanë pronësi “nëpërmjet integrimit të shumave monetare” edhe të tjerë persona të përfshirë në trafikun e narkotikëve si edhe shtetasi Genci Bedini, ku dukshëm paraqitet se në to janë investimet e tyre dhe pse fiktivisht lidhen kontrata noteriale qiraje, ‘Shikojeni vetë, keni paguar miliona për ato dyqane, të paguani qira është gjynah”.
Godina luksoze, është ndërtuar nga kompania “Nova Konstruksion”, e zotëruar nga Ilir Shtufi, i konsideruar një prej oligarkëve më të mëdhenj që zotëron interesa qindra milionë euro edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Ai konsiderohet një prej biznesmenëve më të mëdhenj në fushën e energjisë, zotërues i disa parqeve fotovoltaike me kontrata të garantuara shitjeje tek operatori publik.
Ai konsiderohet pika kyçe e investimit të parave të kokainës nga vëllezërit Koçeku dhe personazhet e tjerë që lidhën aleancë në ishullin e Arubas.
“Për të ardhurat kanë ardhur nga një aktivitet kriminal, duhet të hetohet subjekti i cili investon, ortakët pjesëmarrës në këtë subjekt se çfarë aktiviteti kanë pasur, si në momentin që zhvillojnë biznesin e ndërtimit por edhe në të shkuarën çfarë kanë përfaqësuar në tregun shqiptar. Gjithmonë është shumë e rëndësishme të verifikohet burimi i të ardhurave që kërkohen të futen dhe të investohen në qarkullimin civil”, u shpreh avokati, Dritan Jahja. / Nga "Inside Story" - Top Channel



