VIDEO + EMRI/ Tentoi të vr*ste dy vëllezër pas sherrit në Llogara, arrestohet 35-vjeçari në kërkim
Erjon Çeloaliaj, 35 vjeç, është arrestuar pas disa muajsh në kërkim, i dyshuar për një ngjarje të rëndë që ndodhi më 2 prill 2024, në aksin rrugor “Llogara–Palasë”.
Sipas dosjes hetimore, Çeloaliaj, në bashkëpunim me vëllain e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës dy shtetas dhe më pas ka përplasur njërin prej tyre me automjet, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
NJOFTIMI
DVP Vlorë/Goditje të njëpasnjëshme ndaj paligjshmërive në qark, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personave në kërkim.
Kapet dhe vihet në pranga një 35-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje.
Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit:
E. Ç., 35 vjeç, banues në Orikum.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 03.03.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Shtetasi E. Ç. akuzohet se më datë 02.04.2024, në aksin rrugor “Llogara-Palasë”, në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. Ç., ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasit K. A., 41 vjeç, dhe S. A., 38 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet tyre. Më pas, shtetasi E. Ç. ka përplasur me automjetin e tij, shtetasin K. A., i cili është dëmtuar rëndë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


