Berisha mesazh për ndarjen nga jeta të Naun Shundit: Humbje e madhe për artin dhe kombin shqiptar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe dramaturgut të njohur shqiptar, Naun Shundi.
Në një postim në Facebook, Berisha ka shprehur ngushëllimet më të ndjera për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik, duke e cilësuar ndarjen e Shundit si një humbje të pazëvendësueshme për kulturën shqiptare.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Naun Shundin!”, shkruan Berisha, duke theksuar se artisti nuk do të mbahet mend vetëm për rolet e tij me mjeshtëri dhe ngjyra, por edhe për kurajën për të mbrojtur të vërtetat që besonte.
Berisha kujton gjithashtu betejën e Shundit për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe vendosmërinë e tij për të mos e ndalur kurrë artin, edhe pas shembjes së tij, kur krijoi miniteatrin “Zonja e Bujtinës”.
“Naun Shundi do jetojë gjithnjë në veprën e tij. I ndritur dhe i paharruar roli i tij në skenë dhe në jetë,” përfundon mesazhin e tij Sali Berisha.
Postimi i plotë:
Dielli perëndoi përgjithmonë për Naun Shundin!
Të dashur miq, Naun Shundi, aktor dhe dramaturg i shquar dhe një prind, bashkëshort dhe qytetar shembullor iku përgjithmonë në jetën e përjetshme.
Duke shprehur nderimin tim me të thellë dhe ngushëllimet e mia me të ndjera familjes së tij të respektuar, miqve dhe të afërmve të tij për humbjen e pazëvendësueshme, dua të theksoj se ndarja e Naum Shundit nga jeta është humbje e rëndë edhe për Teatrin, skenën, artin dhe kulturën dhe të gjithë kombin tonë.
Naun Shundi do jetojë gjithnjë në veprën e tij. Ai nuk do kujtohet vetëm si aktori i madh i roleve gjithë ngjyra e mjeshtëri, por edhe si artisti që mbrojti me guxim të vërtetat e mëdha që besonte.
Akti i tij i fundit ishte beteja për Teatrin Kombëtar, i pamposhtur pas shembjes së të cilit ai ngriti miniteatrin privat ‘Zonja e Bujtinës’.
I ndritur dhe i paharruar roli i në skenë dhe në jetë i tij! Amin.

