VERIU MBËRTHEHET NGA MOTI I KEQ/ Shembje rruge në aksin Ura e Shtrejtë-Prekal, borëpastruese në zonat malore

Në qarkun e Shkodër po vijon puna për pastrimin e rrugëve kombëtare dhe rurale pas motit të keq që përfshiu veriun e vendit. Reshjet e dëborës dhe shiut kanë sjellë problematika të izoluara në disa zona, me shembje nga rrëshqitja e dherave dhe bllokim rrugësh, teksa autoritetet raportojnë se situata është nën kontroll.

Veriu i vendit është përfshirë nga moti i keq të dielën, ku në qarkun e Shkodrësdisa zona kanë raportuar problematika të shumta pas reshjeve intensive të dëborës dhe shiut. Sipas Prefekturës, si pasojë e motit të keq është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.

Në këtë segment është vendosur sinjalistikë dhe qarkullimi është bllokuar për të shmangur rrezikun për përdoruesit e rrugës. Paralelisht, po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe për normalizimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkohë, borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth, një nga rrugët më problematike gjatë sezonit dimëror.

Në territorin e Malësi e Madhe, reshjet kanë pushuar, ndërsa tre borëpastruese janë angazhuar në aksin Tamarë–Vermosh, ku ka prani ngricash dhe po kryhet kriposja e rrugës.

Në Vau i Dejës, reshjet e shiut kanë pushuar, por në disa njësi administrative janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa në Fushë-Arrëz, reshjet e shiut vijojnë me intensitet të lartë dhe ka pasur rënie gurësh e dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme.

Prefektura e Shkodrës bën me dije se deri më tani nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës, ndërsa nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje.

EMISIONET