“THEMBRA E AKILIT” PËR TURIZMIN/ Ozuni: Vetëm 3% e turistëve rikthehen për herë të dytë në Shqipëri
Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit turistik, ku sfida nuk është më vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por edhe sigurimi i më shumë të ardhurave nga qëndrimi i tyre.
Ekspertët vlerësojnë se mes fluksit të lartë të turistëve dhe nivelit të shpenzimeve vazhdon të ekzistojë një hendek, ndërsa mungesa e shërbimeve cilësore shihet si një nga faktorët kufizues për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.
Eksperti i turizmit, Ferjolt Ozuni, thotë se problematikat kryesore lidhen me cilësinë e shërbimit, mungesën e personelit të kualifikuar dhe numrin e ulët të turistëve që rikthehen në Shqipëri.
Sipas tij, vizitorët që zgjedhin vendin tonë për herë të dytë përbëjnë vetëm rreth 3 për qind të totalit, një tregues që nxjerr në pah vështirësinë për të krijuar besnikëri ndaj destinacionit.
Zgjidhja, sipas ekspertëve, kërkon një strategji afatgjatë, investime në përmirësimin e cilësisë së ofertës turistike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së sektorit.
Turistët nga Europa Perëndimore vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve të huaj. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit është zgjeruar edhe tregu nga vende më të largëta, si Australia, Meksika dhe Singapori.
Paketat turistike dhe shërbimet e ofruara nga operatorët vijojnë të jenë mënyra më e përdorur nga të huajt për të vizituar Shqipërinë. Turizmi individual është në rritje, por mbetet ende më i kufizuar.
Sipas ekspertëve, kjo lidhet me faktin se Shqipëria ende nuk ka një imazh plotësisht të konsoliduar si destinacion turistik, ndaj shumë vizitorë preferojnë të udhëtojnë përmes guidave dhe programeve të organizuara.


