Pezullimi i dekanes/ Rektori Artan Hoxha në kufi të “shpërdorimit të detyrës”. Precedenti në Universitetin Shkodër

Pezullimi i dekanes/ Rektori Artan Hoxha në kufi të

Vendimi, tashmë i rrëzuar, i rektorit Rektorit Artan Hoxha për pezullimin nga detyra të dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, e vendos kreun e Universitetit të Tiranës në një hap më pranë shkeljes penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Në 20 Maj 2026, rektori Hoxha urdhëroi pezullimin e përkohshëm nga detyra të dekanes Hoxha, me argumentin e shmangies së konfliktit të interesit, pasi ajo kishte shprehur vullnetin për të kandiduar për një post vakant në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Vendimi, pa bazë ligjore, u rrëzua pak ditë më parë (16 Korrik 2026) nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë. Trupa gjykuese e drejtuar nga Ema Shaholli shpalli të paligjshëm vendimin e drejtuesit të Universitetit dhe urdhëroi rikthimin mënjëherë në detyrë të dekanes Dorina Hoxha.

Pezullimi i dekanes/ Rektori Artan Hoxha në kufi të
Në foto: Gjykata Administrative “rrëzoi” rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha

Deri në këtë pikë, çështja duket si një përplasje administrative, e zgjidhur në gjykatën kompetente. Megjithatë, vendimi i rektorit Artan Hoxha mund të përmbajë edhe elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Për ta konkretizuar këtë fakt, vjen një precedent nga Universiteti i Shkodrës. Është një çështje që ka marrë një lloj drejtimi së fundmi nga Gjykata e Lartë dhe që tregon se veprimet brenda strukturave universitare nuk janë thjesht raporte punësimi, por shkeljet mund të mbërrijnë deri në nivelin e veprave penale.

Precedenti nga universiteti “Luigj Gurakuqi”

Në vitin 2016, Ardita Reçi, pedagoge e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, i drejtohet Prokurorisë së qytetit me një kallëzim për “Shpërdorim detyre” ndaj drejtuesve të institucionit arsimor.

Në kallëzim, ajo pretendonte se të kallëzuarit Artan Haxhi, Genc Boriçi dhe Mimoza Plaku e kishin përjashtuar pa të drejtë dhe në kundërshtim me ligjin, nga e drejta për t’u përzgjedhur si pedagoge e brendshme e Universitetit.

Në pamje të parë, rasti duket si një çështje tipike administrative që lidhen me procedurat e punësimit. Pak a shumë, kështu e ka vlerësuar edhe Prokuroria e Shkodrës. Duke mos konstatuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, prokurori i çështjes i drejtohet gjykatës me kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve.

Gjykata e Shkodrës, në nëntor 2019, ka vendosur mospranimin e kërkesës së prokurorit dhe kthimin e akteve për hetime të mëtejshme, duke theksuar “nevojën për hetimin e plotë e të gjithanshëm të çështjes, në drejtim të sqarimit tëpretendimeve të kallëzueses për shkelje të barazisë në punësim”.

Pas kryerjes së hetimeve shtesë, Prokuroria e Shkodrës paraqet sërish kërkesën për pushimin e çështjes ndaj drejtuesve të Universitetit të Shkodrës, me argumentin se “nuk janë konstatuar shkelje të atilla ligjore që të përbëjnë veprën penale të shpërdorimit të detyrës”.

Gjykata e shkallës së parë të Shkodrës, kësaj radhe, pranon kërkesën e prokurorit dhe vendos pushimin e çështjes në Korrik të vitit 2023.

Kallëzuesja e ankimon vendimin pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, në të cilin kërkon vijimin e hetimeve dhe vendosjes para përgjegjësisë ligjore të të kallëzuarve prej saj.

Gjykata e Apelit, në Tetor të vitit 2025, vendosi kthimin e çështjes për hetim në Prokurorinë e Shkodrës dhe të mbyllen veprimet proceduriale brenda periudhës 3-mujore.

Pezullimi i dekanes/ Rektori Artan Hoxha në kufi të
Në foto: Gjykata e Apelit urdhëroi Prokurorinë e Shkodrës për vijimin e hetimeve

Të kallëzuarit i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë, në të cilin kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkodrës. Konkretisht, kërkonin që të mbetej në fuqi vendimi për pushimin e procedimit penal.

Në 16 Korrik 2026, Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rekursin, rrjedhimisht duke lënë në fuqi detyrimin e Prokurorisë së Shkodrës që të vijojë hetimet për “shpërdorim detyre”.

Pezullimi i dekanes/ Rektori Artan Hoxha në kufi të
Në foto: Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e drejtuesve të Universitetit të Shkodrës

Prej gati një dekade, drejtuesit e Universitetit të Shkodrës po përballen me “kokëçarjen” ligjore, pasi një vendim i tyre, në dukje thjesht administrativ, vlerësohet nga gjykatat se mund të ketë edhe elementë të veprave penale.

“Përplasja” Artan Hoxha-Dorina Hoxha

Bazuar mbi këtë precedent, edhe rektori i Tiranës, Artan Hoxha, nuk duhet të qëndrojë i qetë, edhe kur merr vendime të kundër-ligjshme të natyrës administrative.

Ai vendosi pezullimin e dekanes së Juridikut, Dorina Hoxha, në kundërshtim me ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Por, për më tepër, edhe kundër një udhëzimi të miratuar po prej tij, vetëm pak javë para se të nxirrte urdhërin për pezullimin e përkohshëm të drejtueses së Fakultetit të Drejtësisë

“Boldnews.al” ka raportuar më herët për vendimmarrjen e diskutueshme të rektorit Artan Hoxha.

Dekania e Juridikut, Dorina Hoxha, përdori të drejtën e saj ligjore për të kandiduar për një post vakant në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga radhët e pedagogëve të Drejtësisë.

Ligji parashikon që Dekani udhëheq procedurat e përzgjedhjes së kandidaturave. Në rastet kur kandidon dekani, ai/ajo përjashtohet nga organizimi dhe kompetencat i merr zëvendës-dekani ose pedagogu më i vjetër në detyrë.

Rektori i Universiteti të Tiranës, Artan Hoxha, në mars të vitit 2026, miratoi një Udhëzim për organizimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së nga radhët e pedagogëve. Në atë Udhëzim ishte sqaruar qartësisht se, në rast kandidimi të dekanit, ai/ajo pezullohej nga e drejta për të drejtuar procedurën. Pra, situata ishte tërësisht e qartë.

Por, në kundërshtim flagrant me parashikimet në aktet ligjore e nënligjore, rektori Artan Hoxha vendosi pezullimin e dekanes së Juridikut nga të gjitha detyrat funksionale, deri në përfundimin e procedurës së zgjedhjes së kandidatëve, e cila përfundon në Shkurt 2027.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Tiranës për rikthimin në detyrë të dekanies së Juridikut, Dorina Hoxha, duket se qetësoi ujërat e trazuar brenda Universitetit kryesor të vendit dhe, e dëmtuara, me shumë mundësi, nuk sheh arsye që të dorëzoj kallëzim penal ndaj rektorit Artan Hoxha, siç ndodhi në precedentin e mëparshëm në Universitetin e Shkodrës.

Megjithatë, situatat janë shumë të ngjashme dhe rektori Hoxha, me shumë mundësi, e ka marrë mesazhin që veprimet e tij të kundërligjshme mund të konsiderohen edhe vepër penale./Boldnews

EMISIONET