MBI 1 MILIONË TURISTË NË MAJ/ Vizitorët e huaj u shtuan ndjeshëm, netët e qëndrimit u rritën me 8%
Ndërsa sezoni veror u çel zyrtarisht më herët këtë vit në Shqipëri, mbi 1 milionë turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë muajit maj sipas të dhënave të INSTAT.
Me ngritjen e temperaturave, kjo shifër e vizitorëve të huaj që vijnë në vendin tonë për qëllime turistike është dyfishuar krahasuar me muajt e tjerë të dimrit dhe pranëverës.
Krahasuar me një vit më parë, duket se hotelet janë tejmbushur pasi kanë akomoduar rreth 12.4% më tepër turistë të huaj në gjithë vendin, sipas pasqyrimit në raportin e instutit.
Edhe netët e qëndrimit janë ngritur me 8% për të huajt që do të thotë se po shpenzojnë më tepër kohë në Shqipëri.
Një tjetër tregues pozitiv është edhe përdorimi më i lartë i kapaciteteve hoteliere.
Gjatë muajit maj, shkalla e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 29.8%, më e lartë se 28.7% që ishte një vit më parë.
Paralelisht është vënë re se dhe turizmi nga qytetarët shqiptarë brenda vendit është rritur ndjeshëm me 11.4% të cilët kanë zënë rreth 22% të netëve të kaluara nëpër hotele apo apartamentet me qira.
Italia mbetet vendi nga vijnë më shumë turistë, duke përbërë 19 për qind të vizitorëve të huaj.
Pas saj renditen Kosova me 11 për qind dhe Gjermania me 10 për qind. Rritje të pranisë kanë shënuar edhe turistët nga Franca dhe Polonia.
Të dhënat tregojnë se interesi për Shqipërinë si destinacion turistik vazhdon të rritet edhe përpara kulmit të sezonit veror, duke sinjalizuar një fillim të mbarë për industrinë e turizmit në vitin 2026.


