Teknologjia kundër aksidenteve! “EVU Albania”, sjell simpozium kombëtar! Ekspertët prezantojnë metodat moderne për hetimin e ngjarjeve rrugore

Tirana po pret Simpoziumin e Dytë Kombëtar për Sigurinë Rrugore, ku ekspertët po prezantojnë teknologjitë më moderne për hetimin dhe parandalimin e aksidenteve. Aktiviteti do të vijojë me demonstrime publike të përplasjeve dhe rekomandime për përmirësimin e Kodit Rrugor.

Teknologjia kundër aksidenteve! “EVU Albania”, sjell simpozium

Ekspertë vendas dhe të huaj të sigurisë rrugore janë mbledhur në Tiranë në kuadër të Simpoziumit të Dytë Kombëtar për Sigurinë Rrugore, organizuar nga shoqata “EVU Albania”, pjesë e organizatës evropiane për kërkimin dhe analizën e aksidenteve rrugore.

Aktiviteti treditor synon promovimin e metodave më të avancuara për parandalimin, hetimin dhe rindërtimin e aksidenteve, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurinë në rrugë.

Dita e parë, e zhvilluar në Universitetin Politeknik të Tiranës, u fokusua te teknologjitë moderne të analizës së aksidenteve. Ekspertët prezantuan përdorimin e të dhënave nga “kutia e zezë” e automjeteve, skanimin 3D, pajisjet Total Station dhe dronët në këqyrjen e vendngjarjeve.

Vëmendja do të zhvendoset të premten në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të zhvillohen demonstrime të kontrolluara përplasjesh mes automjeteve, monopatinave elektrike, biçikletave dhe kamionëve.

Përmes këtyre simulimeve synohet të tregohet konkretisht rreziku që sjell mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, shpejtësia e lartë dhe mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse.

Në aktivitet do të përfshihen edhe Policia e Shtetit, DPSHTRR dhe organizata të specializuara, me programe informuese për fëmijët dhe të rinjtë.

Simpoziumi do të mbyllet me analizimin e rezultateve të testeve dhe me rekomandime konkrete për ndryshime në Kodin Rrugor, me synim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e standardeve të sigurisë në vend.

EMISIONET